Zonat e mbrojtura do të pajisen me pasaportë

schedule13:10 - 17 Prill, 2019

schedule 13:10 - 17 Prill, 2019

Shumë shpejt çdo zonë e mbrojtur në vend do të ketë pasaportën e saj. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e bëri të ditur në konferencën përmbyllëse të projektit të Bashkimit Europian “Natyra 2000”.

Mbi 18% e sipërfaqes së vendit konsiderohet zonë e mbrojtur. Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, prej tre vitesh trajtohet ndryshe dhe është vendosur në shërbim të turizmit.

“Beteja e Ministrisë së Turizmit për mbrojtjen e këtyre zonave dhe sidomos për një betejë që para 1 viti e gjysmë quhej krejtësisht e humbur me zhvillimin e qëndrueshëm të HEC-eve në zonat e mbrojtura sot padyshim ka një rezultat spektakolar. Nuk ka më as kërkesë. Është arritur të kuptohet që zonat e mbrojtura janë të mbrojtura dhe nuk ka më veprimtari ekonomike të cilat i dëmtojnë ato”, tha ai.

Në konferencën përmbyllëse të projektit më të madhe të Bashkimit Europian në fushën e mjedisit “Natyra 2000”, ministri Klosi tregoi se këtë vit çdo zonë e mbrojtur do të pajiset me pasaportën e saj.

“Pse është zonë e mbrojtur gjithsecila zonë? Kush janë arsyet që ajo pasqyron potencial ekonomik edhe vlerë të vërtetë? Kush janë koordinatat e plota që të mbyllet përfundimisht ky evazion dhe ky agresivitet karshi këtyre zonave”, tha Klosi.

Rezultatet e punës së bërë ministri Klosi tha se janë përkthyer në rritje të numrit te turisteve që vizitojnë zonat e mbrojtura në vendin tonë.