Zona e Kasharit me 3 fusha të reja sportive

schedule12:25 - 16 Mars, 2019

schedule 12:25 - 16 Mars, 2019

Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar 3 fusha të reja sportive në zonën e Kasharit, të cilat u shërbejnë jo vetëm nxënësve, por dhe komunitetit të zonës. Bashkia e Tiranës deklaroi se investimet janë të fokusuara jo vetëm në qendër por edhe në periferi të Tiranës.

Nxënësit e shkollave “Katund i Ri” dhe “Sadik Stavieleci” në zonën e Kasharit do të kenë tashmë tri fusha të reja sportive. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qeverinë zvicerane dhe austriake mundësuan rehabilitimin e fushave që u shërbejnë 1300 nxënësve të zonës. Kryebashkiaku Veliaj i shoqëruar nga Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître inspektoi përfundimin e punimeve

Erion Veliaj: Ajo që thonë të gjithë është: Shiko sa bukur duket Tirana, ja Sheshi Skënderbej, ja Pazari i Ri, ja Parku i Liqenit, ja Bulevardi i Ri – dhe m’u desh që t’u shpjegoja se Tirana që kemi sot nuk është vetëm ajo e qendrës urbane. Tiranë është edhe Kashari, edhe Krraba, edhe Ndroqi, edhe Dajti, edhe Shëngjergji, Zall-Bastari, Zall-Herri; pra, duhet të fokusohemi edhe te Tirana e periferisë.

Veliaj theksoi se këto terrene sportive të reja nuk i shërbejnë vetëm të rinjve dhe nxënësve të shkollave, por dhe komunitetit të zonës.

Erion Veliaj: Ashtu siç janë hapur të 62 shkollat në Tiranë, edhe shkollat e Kasharit do të qëndrojnë hapur pas mësimit. Një pjesë e juaja, pasi mbaron detyrat, kthehet prapë për një ndeshje volejbolli, për një ndeshje kalçeto. Ne duam që shkolla të kthehet nga një vend ku kalamajtë parkohen për 6 orë, në një vend ku i gjithë komuniteti, e gjithë familja, fëmijë dhe të rritur, të kenë mundësi të aksesojnë shkollat tona gjatë gjithë ditës.

Veliaj shfrytëzoi rastin dhe ftoi sërish qytetarët e Tiranës që të dielën e 17 Marsit t’u bashkohen festimeve të Ditës së Verës, ku do ketë mbi 50 aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat që janë organizuar nga Bashkia e Tiranës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!