Pas fitores së “djajve” të Manchester United ndaj Chelsea, “të kuqtë” e Liverpool dështuan zyrtarisht të siguronin një “biletë” për në fazën e grupeve të UEFA Champions League, teksa kanë siguruar pjesëmarrje në grupet e Europa League.
Mos sigurimi i një vendi në zonën e kualifikimit për në Champions League, duket se mund të “turbollojë” ujërat e merkatos, në “Anfield Road”, mirëpo gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar ditën e sotme, në prag të sfidës së fundit të Premier League, ndaj Southampton, tekniku Jurgen Klopp u shpreh se mungesa e Ligës së Kampionëve nuk do të ndikojë shumë në merkato.
“Unë nuk mendoj se do të ndikojë në të, por kurrë nuk i dihet. Sa më i mirë të jetë lojtari, aq më pak vullnet ka klubi për ta lënë atë të shkojë. Por ne jemi të përgatitur gjithsesi”,- u shpreh tekniku gjerman, gjatë konferencës për shtyp.
Ndërkaq, kujtjomë se deri më tani, “lamtumirën” skuadrës së Liverpool ia kanë dhënë Roberto Firmino, Alex Oxlade-Chamberlain, Naby Keita e James Milner, lojtarë të cilët refuzuan të nënshkruanin një kontratë të re me Liverpool. /i.m /abcnews.al