Hemoragjia e nisur nga ish-Lëvizja Socialiste për Integrim drejt Partisë Socialiste, vijon edhe me Partinë e Lirisë.
Klevi Pojana, një nga figurat e reja më të promovuara nga çifti Kryemadhi-Meta në kulm të pushtetit, tashmë i ka braktisur ata zyrtarisht në ditën e tyre më të zezë, kur janë të divorcuar dhe të dy të pandehur. Por ndryshe nga Endrit Braimllari, i cili është vetëofruar të punojë në fushatën e socialistëve, Pojana ka hyrë në zyrat e pushtetit, të cilit deri dje i rrinte përballë. Ai ka njoftuar, jo pa krenari se ka marrë një post të rëndësishëm nga Bashkia e Tiranës:
“Sot nis një sfidë e re me detyrën si Administrator i Njësisë Administrative Nr.8 Bashkia Tiranë! Me dëshirën për t’i shërbyer me përgjegjësi çdo qytetari dhe për të qëndruar gjithmonë një derë e hapur ndaj çdo kujt që dëshiron të shprehi shqetësimet e tij, besoj se do ja dalim të jemi gjithmonë prezent për të gjetur zgjidhje e për të ofruar ndihmë!”
Pojana falenderon veçanërisht kryebashkiakun, Erion Veliaj për këtë emërim, ndërsa thotë se Tirana, të cilën ai e shante deri dje, si bunker betoni, sot është jo vetëm kryeqytet i Shqipërisë, por dhe i Ballkanit, ndërsa premton se do i shërbejë me përkushtim komunitetit.
Pojana gjithsesi duket i përkushtuar ndaj posteve dhe pushtetit. Ai në Lëvizjen Socialiste për Integrim ka patur disa poste, nga ish-nënkryetar i Lëvizjes Rinore për Integrim, anëtar Kryesie dhe dy herë kandidat për deputet në Tiranë.
Vështirë të numërohen ndër vite, këshilltarët bashkiakë apo dhe anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët i janë bashkuar Partisë Socialiste. Lëvizje që kanë ndodhur kryesisht pas zgjedhjeve lokale apo parlamentare, të cilat i ka humbur të gjitha pas prishjes së koalicionit Meta-Rama.
Këto lëvizje shqetësojnë Partinë e Lirisë, e cila me kryetarin në burg dhe me rrjedhjet e vazhdueshme, rrezikon asgjesimin në zgjedhjet e 11 majit. Tedi Blushi, të cilit i ka mbetur partia në dorë pas arrestimit të Metës, nxitoi të martën të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Nokën në selinë blu, në një takim disa minutësh. Ai refuzoi të japë detaje nga takimi.
Të shqetësuar duhet të jenë edhe socialistët e thjeshtë të Tiranës, ata të cilëve edhe këtë herë u duhet të bëjnë një fushatë të fortë, për një fitore frytet e së cilës do t’i duhet t’i ndajnë sërish me ish njerëzit e LSI, që sot po marrin ofiqe sikur të ishin socialistë të thekur. Si Klevi Pojana./abcnews.al