“Pa presionin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është e vështirë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të zbatojë marrëveshjet me Kosovën”.
Kështu u shpreh në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Avni Zogiani, këshilltari i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Sipas Zogianit, Kosova dhe Serbia janë dakordësuar për një sërë çështjesh, por sipas tij nuk ka pasur vullnet nga ana e serbëve për t’i zbatuar.
“Kemi pasur dakordësime të tjera edhe më herët, për shembull për marrëveshjen për energjinë, nuk ka pasur vullnet për ta zbatuar nga ana e serbëve, përkatësisht nga strukturat e Vuçiç në pjesën veriore. Unë jam goxha skeptik se do të kemi ndonjë zbatim praktik të këtyre marrëveshjeve nga ana e serbëve. Të shohim, ne po bëjmë përpjekje për të lëvizur gjërat nga aty ku janë. Kam frikë se nuk do të jetë e lehtë me Vuçiçin dhe Listën Serbe. Vuçiç e ka kuptuar që po shkon drejt një rruge ku nuk mund t’i ikë sjelljes normale të saj ndaj Kosovës si shtet. Në vazhdimësi kemi pasur të tilla shmangie, të tilla sabotime në terren nga ana e serbëve.
Kosova ka pasur një interes të jashtëzakonshëm që të zbatojë marrëveshjet me energjinë, për shkak se i kushtonte tepër shumë mungesa e një marrëveshjeje atje, duke qenë se jepte energji për komunitetin serb pa e paguar fare dhe kjo ndodh prej 20 vitesh. Edhe marrëveshjet e tjera janë në interes të Kosovës. Serbia ka bërë sabotime gjatë rrugës për marrëveshjet që do të rregullonin disa çështje, si energjia, targat, pranimi i dokumenteve të Kosovës. Unë jam shumë skeptik që pa ndonjë presion më thelbësor nga ana e diplomacisë ndërkombëtare, përkatësisht BE-së dhe SHBA-ve, Vuçiç do të bëjë një zbatim thjesht nga vullneti i mirë i tij”, theksoi ai./abcnews.al