Zjarri shkrumbon fabrikën e riciklimit në Kashar

schedule15:46 - 22 Prill, 2018

schedule 15:46 - 22 Prill, 2018

Një fabrikë e riciklimit të mbetjeve në zonën e Kasharit u shkrumbua plotësisht nga një zjarr i rënë mëngjesin e së dielës. Zjarri shkaktoi vetëm dëme materiale. Zjarrfikësve të kryeqytetit u erdhën në ndihmë edhe mjete zjarrfikëse të Vorës, Durrësit dhe ushtrisë. Një vit më parë fabrika ishte penalizuar për mungesën e masave anti-zjarr.

Një fabrikë e riciklimit të mbetjeve në zonën e Kasharit në Tiranë u përfshi nga flakët mëngjesin e së dielës.

Sipas dëshmitarëve vatra e parë e zjarrit është vënë re rreth orës 09:30. Për shkak të materialeve plastike tejet të ndezshme janë dashur pak minuta që flakët të dilnin jashtë kontrollit. Fatmirësisht demet kanë qenë vetëm materiale.

Shtëllunga e tymit të zi ishte aq e madhe sa mund të shihej nga çdo anë e kryeqytetit dhe zonave përreth.

Operacioni i fikjes së zjarrit angazhoi dhjetra zjarrfikëse të kryeqytetit. Në ndihmë të tyre erdhen edhe mjete zjarrfikëse të ushtrisë, të Vorës, Durrësit si edhe botë uji nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Beteja e parë e fituar në luftën me flakët ishte pengimi i tyre për të ndezur një tjetër biznesi, kapanoni i të cilit ishte thuajse ngjitur me fabrikën në flakë.

Fabrika dhe gjithe ç’qe në të u bë shkrum. Ky kompjuter, mund të jetë pajisja e vetme e shpëtuar.

Një grup hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për shkakun e zjarrit. Sipas kreut të Shërbimit Zjarrfikës, Tiranë, Shkëlqim Goxhaj përgjigja zyrtare do të kërkojë pak kohë.

Sipas Goxhajt, fabrika e riciklimit ishte gjobitur me herët në lidhje me mungesën e masave anti-zjarr.

Kreu i zjarrfikësve tha se edhe në radhët e zjarrfikësve nuk pati asnjë të lënduar.

Policia ndërpreu lëvizjen e mjeteve në aksin rrugor pranë fabrikës. Por nuk munguan edhe kureshtarë që u afruan aty për të parë flakët.

Më të trishtuarit mes tyre ishin disa punonjëse të fabrikës, që shikonin teksa flakët shkrumbonin vendin e tyre të punës.

Operacioni për fikjen e flakëve zgjati edhe disa orë pas mesditës. /abcnews.al