Zjarri shkrumbon anijen, 4 të vdekur

schedule23:50 - 2 Shtator, 2019

schedule 23:50 - 2 Shtator, 2019

Të paktën 4 persona kanë vdekur dhe 30 të tjerë konsiderohen të humbur në Kaliforni, pasi varka me të cilën po udhëtonin u shkatërrua nga një zjarr që ra në bord. Sipas mediave amerikane, 5 nga 39 persona që ndodheshin në mjetin lundrues u shpëtuan nga roja bregdetare.

Autoritetet kanë refuzuar të flasin për një bilanc të saktë viktimash, por dyshohet që numri i tyre të jetë i lartë. Zjarri ra teksa varka po lundronte në afërsi të ishullit Santa Kruz, në orët e para të mëngjesit me orën lokale.

Aktualisht anija është e zhytur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë në zhvillim e sipër, por po hasin vështirësi për shkak të mjegullës. Të dhënat mediatike sugjerojnë se disa prej pasagjerëve mund të kenë mbetur të bllokuar nën kuvertën e anijes.

Ndërkohë, ata që shpëtuan thuhet se kanë fjetur në kabinën kryesore të mjetit dhe jo në ato poshtë. Ata ishin zgjuar përpara mbërritjes së skuadrave të shpëtimit dhe ishin hedhur nga varka në ujë për t’u shpëtuar flakëve./ABC News Albania 24/7