Kjo shtëpi, strehë e nje cifti bashkeshortesh në fshatin Krajan, në Zadrimë të Lezhës u shkrumbua nga zjarri pasditen e të hënës.
Banorët thonë se flakët që fillimisht përfshinë tokat bujqësore u përhapën shumë shpejt duke mos u lënë mundësi të mbronin shtëpinë ose së paku disa prej orendive.
Përvec banesës, zjarri qe dyshohet i qellimshem, u ka djegur dhe gjithë cfarë kishin mbjellë në tokat pranë.
Sipas të dhënave zjarri i të hënës dogji mbi 1 mijë hektarë tokë me ullishte, vrashtari e pemtari në fshatrat Dajc, Kodhel, Baqel dhe Krajen.
Po ashtu janë djegur edhe katër stalla disa prej tyre bashkë me bagëtitë që ndodheshin brenda.
Në fshatin Baqel zjarri dogji edhe trasene e linjës hekurudhore Shkoder Lezhe.
Por përvec Lezhës gjatë 24 orëve të fundit zjarre ka pasur edhe në qarqet Kukës, Dibër, Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë e Gjirokastër.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi të martën se janë shuar 43 vatra zjarri ndërsa mbeten ende aktive vatrat në fshatin Surroj, Kukës, në fshatin Tetaj, Tropojë, në fshatin Bukëmirë, Mirditë, në fshatin Baqel, Blinisht dhe një vatër aktive në fshatin Mnelë e Vogël, Vau-Dejës./abcnews.al