Zjarri në urgjencën e QSUT-së, Fico: U shkaktua nga një defekt teknik, dëmi i kufizuar. Pacientët janë jashtë rrezikut për jetën

schedule10:14 - 11 Shkurt, 2024

schedule 10:14 - 11 Shkurt, 2024

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), Albana Fico deklaroi se zjarri i rënë në orët e para të mëngjesit në urgjencën e kësaj godine, u shkaktua nga një defekt teknik.

Në një deklaratë për mediat, Fico u shpreh se zjarri ra në një dhomë teknike dhe se dëmi është i kufizuar.

Fico nënvizoi se pacientët janë jashtë rrezikut për jetën dhe shtoi se situata është nën kontroll.

“Nuk ka pasur asnjë humbje jete dhe nuk ka pasur asnjë përkeqësim. Ka në vijim akoma një sinjal teknik alarmi, çka tregon që kjo ndërtesë ka elementë shumë të larta sigurie, bën të mundur që pacientët tanë të jenë të sigurt në çdo hap kur janë nën mbikëqyrjen tonë në spital. Ka qenë një defekt në një dhomë teknike që po vlerësohet dhe po monitorohet në vijëmsi. I gjithë grupi teknik, së bashku me mirëmbajtjen e QSUT-së, kanë nën kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar, vetëm një dhomë teknike. Kjo nuk ka prekur asgjë tjetër. Spitali Qendror është spital që trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masat e tyre, përfshirë edhe reanimacionet. Ne kemi pacientë, të cilët, për siguri më të lartë, i kemi lëvizur brenda QSUT-së, nuk ka ndryshime të parametrave të tyre, janë në vijim të trajtimeve të tyre”, theksoi drejtoresha e QSUT-së, Albana Fico./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!