Prokuroria e Fierit e ka regjistruar procedim penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr” zjarrin që përfshiu një qendër tregtare në datën 25 dhjetor në Lushnje.
Ndërkohë, burime nga komisariati i Lushnjes sqarojnë se nuk ka dyshime per zjarrëvënie të qëllimshme dhe se hetimi i prokurorisë është gjithëpërfshirës për të zbardhur shkaqet e zjarrit në qendrën tregtare.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
“Zjarri në Qendrën tregtare ‘Metropol Center’, Prokuroria Fier regjistron procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon publikun se për ngjarjen e ndodhur në qendrën tregtare “Metropol Center”, lagjia “Çlirimi”, Lushnjë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1846/2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Prokurorja e gatshme ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe janë kryer veprimet e para hetimore.
Është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe grup oficerësh të policisë gjyqësore nën drejtimin e Prokurores. Hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.
Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve”.
Kujtojmë që ditën e Krishtlindjeve, si pasojë e zjarrit disa persona mbetën të izoluar në qendrën tregtare, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për t’i nxjerrë prej andej. Zjarrfikësit e Lushnjës, të asistuar nga ekipe të tjera luftuan më shumë se dhjetë orë për të shuar flakët./abcnews.al