Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme në pyllin me pisha të Darëzezës është riaktivizuar sërish. Sipas të dhënave nga Mbrojtja Civile, aktualisht në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë, një buldozer dhe një fadromë. Por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në Darëzezë nuk është vënë ende nën kontroll.
Rreth orës 14:00, vatra e zjarrit është përhapur më tej dhe është bërë e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Për shkak të situatës së rënduar, është kërkuar ndërhyrja nga ajri e helikopterit Kugar të Forcës Ajrore.
Sipërfaqja e përfshirë nga flakët është rreth 10 hektarë, ndërsa era po favorizon avancimin e zjarrit në pjesën veriore të pyllit.
Zjarri i nisur mesditën e djeshme, ndërsa gjatë natës, në zonë qëndruan në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse dhe tre grupe operative, në një përpjekje për të shmangur çdo rrezik të riaktivizimit të vatrës. Megjithatë zjarri iu riaktivizua sërish.
Sot në mesditë në kodrat e ullishtes së Zhupanit në Fier në vendin e quajtur takodrom u aktivizua një tjetër vatër. Deri tani është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi, shkurre e ullinj, por fatmirësisht banesat ndodhen larg.
/abcnews.al

