Prej tre ditësh vijon djegia e mbetjeve në landfillin e Bushatit, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat vendore janë të angazhuara intensivisht për vënien nën kontroll të flakëve.
Falë ndërhyrjes dhe koordinimit në terren, është bërë e mundur lokalizimi i zjarrit, duke shmangur përhapjen e tij në pjesët e tjera të landfillit, çka do të sillte pasoja edhe më të mëdha mjedisore.
Një ndikim pozitiv në përmirësimin e situatës kanë pasur edhe reshjet e shiut gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të së martës, të cilat kanë ulur ndjeshëm intensitetin e flakëve dhe kanë lehtësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Aktualisht, puna në terren vijon në disa fronte, ku krahas shuarjes me mjete zjarrfikëse, po përdoret edhe hedhja e dherave për të izoluar vatrat aktive dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.
Në operacion janë përfshirë mbi 20 forca nga Vau i Dejës, Shkodër dhe Lezhë, të cilat po punojnë pa ndërprerje për shuarjen e plotë të flakëve.
Autoritetet thonë se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa pritet që ndërhyrja të vijojë deri në eliminimin e plotë të çdo vatre zjarri në landfill.
Hetimet e deritanishme kanë përjashtuar mundësinë e një zjarrvënie të qëllimshme.


