Shtëpitë e shumë të famshëmve në Los Anxhelos janë djegur deri në themel nga zjarret që kanë shkatërruar qytetin dhe zonat përreth që nga e marta.
Një shtëpi që thuhet se i përkiste aktorëve të Hollivudit, Leighton Meester dhe Adam Brody, është një nga mbi 1000 shtëpitë e shkatërruara në këto zjarre. Jamie Lee Curtis, Mandy Moore, Maria Shriver dhe të famshëm të tjerë janë në mesin e më shumë se 100,000 banorëve që u desh të evakuoheshin për t’i shpëtuar zjarreve që po shkatërrojnë disa nga lagjet më të dëshirueshme të Los Anxhelosit.
Zjarri më i madh dogji afro 4,856 hektarë në Pacific Palisades, një zonë piktoreske midis Santa Monica dhe Malibu, e njohur për banorët e saj të shumtë nga bota e filmit, televizionit dhe muzikës.
Brody, i njohur për rolet e tij në “The OC” dhe “Nobody Wants This”, dhe aktorja e “Gossip Girl” Leighton Meester blenë një shtëpi në Pacific Palisades në 2019 për 6.5 milionë dollarë, sipas listimeve të pasurive të paluajtshme.
Maria Shriver, një gazetare dhe ish-Zonja e Parë e Kalifornisë kur ishte e martuar me Arnold Schwarzenegger, tha se shkatërrimi i lagjes së pasur ishte shkatërrues.
“Gjithçka ka ikur. Fqinjët tanë, restorantet”, ka shkruar ajo në rrjetin social X. “Zjarrfikësit po bëjnë maksimumin, por ky zjarr është i madh dhe jashtë kontrollit”, ka shtuar ajo.
Aktori James Woods, i evakuuar nga shtëpia e tij në Pacific Palisades, tha se të gjitha shtëpitë rreth tij ishin në flakë. “Ishte si ferr,” tha ai.
Zjarret arritën edhe në Hollywood Hills
Të mërkurën mbrëma, një zjarr përfshiu Kodrat e Hollivood-it dhe fuqia e tij shkatërruese detyroi evakuimin e banorëve të tjerë të zonës sinonim të industrisë së argëtimit. Zona Sunset Strip, e vendosur mbi bulevardin Hollywood, një atraksion i famshëm turistik me muzetë dhe Walk of Fame, u prek gjithashtu.
Zjarri kërcënon të kalojë autostradën 101 dhe të kërcënojë shenjën e Hollivudit dhe Observatorin Griffith. Në atë pjesë ndodhet edhe Teatri Dolby, ku mbahen çmimet Oscar, shpallja e nominimeve të të cilit u shty për shkak të zjarrit. Critics Choice Awards të planifikuara për këtë fundjavë gjithashtu janë shtyrë.
Shtëpitë e të famshëmve digjen nga flakët
Mandy Moore, e famshme për serialin “This Is Us”, është evakuuar me familjen e saj për shkak të afërsisë me zjarrin. “Jam e shkatërruar nga shkatërrimi dhe humbja”, ka shkruar ajo në Instagram.
View this post on Instagram
Shtëpia e Paris Hilton në plazh në Malibu, me vlerë 8.4 milionë dollarë, u dogj gjithashtu. “Unë jam pa fjalë dhe zemërthyer,” shkroi Hilton, duke përshkruar se si ajo shikonte e pafuqishme teksa shtëpia e saj digjej nga flakët. Aktori Mark Hamill, i njohur si Skywalker nga “Star Wars”, tha se ky ishte zjarri më i keq që nga viti 1993. Ai dhe familja e tij u evakuuan nga shtëpia e tyre në Malibu.
View this post on Instagram
Përveç kësaj, xhirimet e shumta të filmave janë pezulluar, duke përfshirë shfaqje si “Jimmy Kimmel Live” dhe serialin “Grey’s Anatomy”. Janë anuluar gjithashtu premierat e filmave në të gjithë qytetin./abcnews.al