Presidenti Joe Biden gjatë një takimi me anëtarë të kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë, tha se ai ka vënë në gatishmëri burime federale dhe ka miratuar fonde shtesë për të ndihmuar Kaliforninë të luftojë zjarret shkatërruese, duke thënë se ato ishin “zjarret më të rënda që kanë goditur Los Anxhelosin.”
Fondet e reja do të mbulojnë 100% të kostos për 180 ditë për heqjen e materialeve të rrezikshme, strehimin e përkohshëm, pagat e personelit të ndërhyrjes së shpejtë dhe masat për të mbrojtur jetën e banorëve të prekur nga zjarret, tha ai.
“Ne nuk do të heqim dorë nga këto plane“, tha Presidenti Biden, duke shtuar: “Ne presim një ndërprerje të përkohshme të erërave të forta, por në disa zona, erërat e forta ka të ngjarë të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.”
Të paktën dhjetë njerëz kanë vdekur nga zjarret që kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të Los Anxhelosit.
Sipas zyrtarëve, numri i viktimave pritet të rritet ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit fillojnë të kontrollojnë rrënojat e shtëpive të djegura.