SHQIPËRI- Zjarri në malin e Thatë dhe Parkun Kombëtar të Prespës është vënë nën kontroll pas 12 ditësh. Ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut gjatë së shtunës kanë ndihmuar në uljen e intensitetit të flakëve, duke penguar përhapjen e tyre më tej.
Ditët e fundit mbi Prespë ka kryer ndërhyrje nga ajri avioni rumun, për të eleminuar vatrat e zjarrit. Mirëpo, pavarësisht përmirësimit të situatës, monitorimi vijon në zonat ku ka ende vatra të vogla aktive.
Situata e zjarreve është përmirësuar gjatë 24 orëve të fundit edhe në rang vendi.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nga 53 vatra zjarri të raportuara, 47 prej tyre janë shuar dhe vënë nën kontroll, ndërsa janë ende active 6 vatra, të cilat po monitorohen nga ekipet në terren.
Aktualisht vijon të jenë aktive, por pa paraqitur rrezik për qytetarët dhe banesat, vatrat në Bjeshkët e Bollotekut dhe mbi fshatin Tërnovë.
Në operacionet e fundit, kanë marrë pjesë 307 forca zjarrfikëse, 130 forca ushtarake, 58 efektive nga polica e shtetit, 155 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal.
Operacionet e avionit rumun të dërguar nga bashkimi Europian kanë sjellë rezultate pozitive për izolimin e vatrave problematike.
Në këtë periudhë të favorizuar nga temperaturat e larta, emergjencat civile u bëjnë apel qytetarëve dhe veçanërisht fermerëve, që të shmangin kategorikisht ndezjen e zjarreve për çdo arsye dhe të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri pranë autoriteteve përkatëse./ abcnews.al