Një person ka rënë në prangat e policisë dhe dy të tjerë janë nën hetim nën akuzën e zjarrëvenies me qëllim ku u dogjën sipërfaqe të mëdha toke.
Sipas policisë mësohet se janë identifikuar dhe vënë në pranga një nga të akuzuarit dhe nën hetim janë dy shtetas të tjerë, që ndezën zjarre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të mëdha toke, në Kavajë, në Lazarat dhe në Lushnjë.
Sipas policisë mësohet se në prang aka rënë një 65 vjeçar në fshatin Lekaj, Rrogozhinë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e kashtës, në tokën e tij, në fshatin Lekaj, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rrezikur banesa dhe prona të banorëve të tjerë të fshatit. Pas ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, është bërë e mundur fikja e zjarrit.
Ndërkohë nën hetim është një 58 vjeçar, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbetjeve të grurit, në vendin e quajtur “Sifoni”, në fshatin Lazarat, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me mbetje gruri (rreth 5 dynym).
Gjithashtu një 43 vjeçare nga Lushnja është vënë nën hetim pasi zjarri që ajo kishte ndezur për djegien e mbeturinave, ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi, në pronësi të një shtetasi tjetër.
Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen si rezultat i zjarreve në fondin pyjor e kullosor përgjatë sezonit veror 2023”, do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të kapur dhe vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata shtetas që ndezin zjarre, si në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore apo në kullota.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore./abcnews.al