Kishat e kryeqytetit grek kanë marrë përsipër të mbledhin fonde këtë fundjavë, për të ndihmuar familjarët e viktimave të zjarreve si dhe ata që tashmë janë të pastrehë.
Pas zjarreve shkatërruese në Atikë, Karitasi në Athinë ka vendosur që këtë fundjavë të mblidhen fonde në të gjitha kishat e kryeqytetit grek. Të gjitha kishave iu është dërguar një letër, ku u kërkohet të kontribuojnë për të mbledhur para që do të vihen në dispozicion të të prekurve nga zjarret.
Në letër shkruhet ndër të tjera se kjo është një shenjë dashurie për të gjithë ata që po vuajnë, e për ata njerëz që tashmë nuk kanë as një shtëpi, dhe as ushqime.
Karitasi i Athinës ka marrë ndihmë dhe nga Karitase të tjera në Europë. Në një kohë që bilanci i viktimave mbetet i përkohshëm dhe numri i të zhdukurve nuk është i qartë, është ende herët të përcaktohen dëmet material.
Autoritete greke kanë ngritur qendra pritjeje ose i kanë improvizuar në palestra shkollash, për të gjithë ata që i kanë shpëtuar ngjarjes tragjike./abcnews.al

