Ngushëllime dhe mbështetje i kanë shprehur homologëve në Athinë edhe autoritetet shqiptare.
Presidenti Ilir Meta i shkruan presidentit grek Prokopis Pavlopulos se po ndjek me ankth dhe shqetësim përhapjen e flakëve dhe dëmet që ato po shkaktojnë ndërsa lutet të mos ketë viktima të tjera e zjarret të vihen sa më shpejt nën kontroll.
“Në këtë moment të vështirë ne jemi pranë fqinjit tonë”, shprehet ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Ai thekson se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke dhe qytetarët shqiptarë të zonave të prekura.
Ngushëllime për familjet e viktimave, ka shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili thotë se qeveria shqiptare duhet të ofrojë menjëherë çdo ndihmë të mundshme në solidaritet me fqinjët tanë, por edhe në shenjë përgjegjësie ndaj bashkatdhetarëve në Greqi.
Ndërsa kryebashkiaku Tiranës Erion Veliaj i shprehu gatishmërinë për ndihmë kryebashkiakut të Athinës, Yiorgos Kaminis. Veliaj thotë se Këshilli Bashkiak i qytetit do të japë kontributin e tij përmes ambasadës greke.
Menjëherë ka reaguar kryebashkiaku Kaminis i cili thekson se është rënë dakord për koordinimin e punës për ndihmën e premtuar nga Tirana për zonat e prekura. /abcnews.al