“Zjarret ishin 13 metra të larta”, kryebashkiaku i Dropullit informon mbi situatën: Janë djegur kullotat dhe një stan

schedule19:54 - 30 Korrik, 2022

schedule 19:54 - 30 Korrik, 2022

Kryetari i Bashkisë së Dropullit, Dhimitraq Toli ka informuar për situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa fshatra.

Ai ka thënë për mediat se fshati është përhapur njëherësh në të gjitha fshatrat dhe era e ka bërë të pamundur ndërhyrjen.

“Situata nuk ka qenë e qetë, zjarri është përhapur në të gjitha fshatrat njëherësh dhe era ka bërë të pamundur që forcat të ndërhynin dhe të mundësonin fikjen e zjarrit. Ne kemi marrë të gjitha masat. Kam një falenderim të veçantë për bashkinë e Gjirokastrës, për forcat zjarrfikëse, për bashkinë e Memaliajt. Forcat e emergjencave civile, të gjithë kanë qenë në krahun tonë dhe na kanë mbështetur për këtë situatë të vështirë”, ka thënë Toli.

Ai ka treguar se zjarri ka qenë shumë afër banesave, ndërsa shtoi se nuk ka ende një bilanc për dëmet, por dihet që janë djegur kullota dhe një stan pa bagëti.

“Zjarri ka qenë në fshatin Lugar dy metër afër një banese. Shpëtuam një shtëpi atje dhe siç e shikoni këtu përballë, zjarri ka qenë me metra afër banesave. Ne kemi që në mëngjes që merremi me këtë, kemi bërë çfarë ishte e mundur. Një bilanc akoma nuk kemi, por janë djegur kullotat dhe një stan në fshatin Goricë. Sipërfaqja është e madhe dhe akoma nuk mund të them se sa janë djegur”, tha ai.

Më tej, Toli bëri thirrje që përgjegjësit e situatës të dalin para ligjit, ndërsa shprehu mbështetjen për policinë dhe zjarrfikësen.

“Unë uroj që përgjegjësi për këtë situatë të shkojë para ligjit sa më shpejt. Edhe policia edhe zjarrfikësja do ketë mbështetjen tonë në këtë situatë se është një situatë që do digjeshin shtëpitë”, tha ai.

Toil falenderoi gjithashtu shtetin grek, i cili dërgoi dy avionë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

“Dua të falenderoj banorët që kanë dalë vetë dhe kanë ndihmuar në shuarjen e zjarreve. Një falenderim e kam për qeverinë greke që na mundësi dy ndërhyrje nga ajri. Ishte një ndihmë shumë e madhe se zjarri ishte 13 metra i lartë, nuk afrohej dot njeri”, tha Toli. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!