Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë mbrëmjen e sotme Kodrën e Matranasë në fshatin Perondi në qytetin e Kuçovës. Zjarri është përhapur me shpejtësi, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke rrezikuar disa banesa që ndodheshin pranë vatrës.
Fillimisht kanë qenë banorët e zonës ata që janë përpjekur të shuajnë flakët e para dhe kanë njoftuar zjarrfikësen. Në ndihmë të tyre kanë mbërritur 17 efektivë të Repartit Zjarrfikës të Beratit, që janë duke luftuar me flakët.
Zjarrfikësit mundën të shmangin përhapjen e zjarrit drejt 7 banesave që rrezikoheshin dhe tashmë janë duke mbajtur nën kontroll vatrat që aktivizohen nga era. Drejtori i MZSH-së Berat, Ervin Hoxhallari ka deklaruar se, ka qenë një aksion sa i vështirë aq edhe i rrezikshëm për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave.
“Edhe pse flakët e zjarrit janë lokalizuar dhe nuk rrezikojnë banesat,” tha Hoxhallari, i gjithë territori do të mbahet në monitor im për shkak të ndonjë riaktivizimi të mundshëm të vatrave të zjarrit nga era. /abcnews.al/