Real Madrid përballet nesër me Elchen (16:00) për javën e 27 të La Liga. Para kësaj ndeshje në konferencë për shtyp foli trajneri i madrilenëve, Zinedine Zidane, që foli edhe specifikisht për lojtarë të ndryshëm, duke lajmëruar zyrtarisht rikthimin e Ramos dhe Hazard.
“Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Renditja e tyre nuk tregon asgjë sepse ata janë ekip i mirë dhe kanë luajtur ndeshje të mira. Ne e dimë se duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer për të fituar tre pikët.
Rikthim i Ronaldos? Ju e dini se sa dashuri kemi të gjithë për të dhe ajo që ai ka bërë këtu është histori. Por tani ai është një lojtar i Juve dhe nuk mund t’ju them asgjë rreth thashethemeve. Gjithmonë thuhen shumë shumë shumë gjëra.
Ramos dëshiron të tërhiqet 40 vjeç? Sergio është një lojtar i veçantë. Është në rrugën e duhur në qëllimin e tij. Çdo vit do duhet të shohë gjendjen e tij. Nëse është si tani, natyrisht që do të jetë në gjendje të luajë deri 40 vjeç. Një lojtar mund të luajë derisa të vendosë, nuk ka moshë për mua. Nuk e di nëse Ramos do rinovojë, unë di të them se ne duam të qëndrojë, është shumë i rëndësishëm për ne.
Nuk mendoj se Varane mendon për një ekip tjetër. Ai është shumë i lumtur këtu dhe unë e shoh vetëm këtu. Ramos dhe Hazard mund të jenë në fushë, nuk ju them më shumë. Po mendojmë t’i japim minuta atyre.
Vinicius po evoluon mirë, duke e ditur që është i ri dhe mund të përmirësohet. Ky është Real Madrid dhe ne gjithmonë do të kërkojmë më shumë. Me siguri ai mund të japë më shumë, por ai po zhvillohet mirë. Camavinga nuk është lojtari ynë, nuk mund të flas më shumë. Ai është lojtar shumë i mirë dhe ka të ardhme të madhe.
Hazard është mirë fizikisht dhe emocionalisht. E ka kapërcyer dëmtimin dhe është gati të luajë. Hazard ka shumë kohë i dëmtuar, por kur të kthehet kam besim se do të kthehet në formën më të mirë, ka kontratë afatgjatë këtu. Jemi prapa në renditje, por kanë mbetur edhe 12 ndeshje dhe ka shumë pikë në lojë, nuk dorëzohemi deri në fund”, u shpreh Zidane. /abcnews.al