Real Madrid siguroi fitoren e dytë radhazi në kampionat pas asaj në El Clasicon me Barcelonën. “Los Blancos” u rikthyen në krye të La Ligas pas triumfit 4-1 në shtëpi me Huescan, falë golave të Karim Benzema (2x), Eden Hazard dhe Federico Valverde.
Një “stërvitore” përpara takimit të ditës së martë kundër Interit në Champions League. Kampionët e Spanjës ndodhen në një situatë të vështirë në grupin B, aty ku numërojnë vetëm një pikë në dy takime të luajtura.
Reali pret ekipin e Antonio Contes në mesjavë, sfidë që duhet fituar me çdo kusht. “Valverde nuk na befason më. Ai po shfaq një futboll cilësor dhe jam shumë i lumtur që shënoi gol. I lumtur jam edhe për Hazard, lojtar me kualitet të madh.
Interi? Jo, nuk mendova farë për ndeshjen e Champions në momentet që bëra zëvendësimet. Sot duhet t’i gëzohemi tre pikëve të marra, ka kohë për të menduar për formacionin që do të hedh në fushë në takimin me zikaltrit“, deklaron Zidane. /abcnews.al