Real Madrid nuk zhvilloi një ndeshje të mirë mbrëmjen e kaluar përballë Atalantës, edhe pse luajti për pjesën më të madhe të ndeshjes me një lojtar më shumë. Dueli i parë i raundit të 1/8 të Champions League që u luajt në Bergamo, përfundoi 0-1.
Freuler u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 17-të, teksa francezi Mendy realizoi golin e fitores për “Los Blancos” në minutën e 86-të. Trajneri i kampionëve të Spanjës, Zinedine Zidane tregohet i sinqertë në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, teksa vlerëson lojën e Atalantës.
“Nuk mund ta them nëse kartoni i kuq ishte i tepërt apo jo, vendimet i merr arbitri. Nuk luajtëm aspak mirë, por rëndësi ka vetëm rezultati. Kemi edhe një tjetër ndeshje kundër Atalantës. Ata mbrohen shumë mirë dhe janë shumë lart fizikisht.
Po vuanim për të gjetur hapësira, e gjetëm golin vetëm në fund. Rezultati që arritëm është i kënaqshëm. Mendy? E provojmë një goditje të tillë edhe në stërvitje, por e kemi tentuar me një tjetër lojtar. Mendy është sallaks, por mund të godasë fort edhe me të djathtën.
E përsëris, nuk zhvilluam një ndeshje pozitive, por tentuam deri në fund të fitonim. Kualifikimi nuk është mbyllur, gjithçka do të vendoset në sfidën e kthimit. Shanset janë 50 me 50. Atalanta është një ekip që mund të na vendosë në vështirësi edhe në Madrid.
Po flasim për një skuadër të fortë, e prisnim që të zhvillonin një lojë të tillë kundër nesh. Kemi parë disa ndeshje të tyre, kështu që nuk u surprizuam aspak“, deklaroi trajneri francez i Real Madrid. Ndeshja e kthimit do të luhet në 16 mars. /abcnews.al