Kriza e Real Madrid duket se do të prekë trajnerin Zidane. Mediat spanjolle shkruajnë për një zëvendësim të mundshëm të tij, 2 vjet pasi mori drejtimin dhe fitoi çdo trofe.
Në dy vite si trajner i Realit, Zinedine Zidane fitoi thuajse gjithçka, por tashmë duket se epoka e tij në drejtimin e Los Blancos duket se ka ardhur në fund.
Real po dështon jo vetëm në rezultate por edhe në lojë, gjë që është e papranueshme jo vetëm nga tifozët por edhe e pajustifikueshme për drejtuesit e klubit.
Nën shënjestrën e shigjetimit është pikërisht trajneri sepse dihet se kur gjerat nuk shkojnë sipas parashikimeve, përgjegjësia bie mbi të.
Ka zëra se presidenti Perez është duke vlerësuar zëvendësimin e tij, saktësisht 2 vjet pasi e promovoi në postin e trajnerit. Në momente kritike duhet të ruhet qetësia, ka thënë ish-kapiteni Fernando Hierro, por nëse Zidane nuk shkarkohet këto ditë, atij i duhet ofruar një zgjatje e kontratës, që aktualisht është e vlefshme deri në fund të këtij sezoni.
Me të marrë vesh lajmin, në media u raportua një lëvizje e Juventusit në drejtim të francezit. Zizou është një nga lojtarët që ka lënë gjurmë në klubin torinez dhe rikthimi si trajner do të ishte arsye motivimi për lojtarët dhe drejtuesit e bardhezinjve./abcnews.al