Zidan i zhgënjyer pas barazimit të Realit në Bilbao

schedule14:42 - 3 Dhjetor, 2017

schedule 14:42 - 3 Dhjetor, 2017

Trajneri Zinedin Zidan nuk dorëzohet për shanset e Realit të Madridit për të dalë kampion në Spanjë. Francezi komentoi barazimin ndaj Bilbaos dhe diferencën me Barcelonën.

Ky përjashtim është përkufizimi më i mirë për sezonin e Realit.
Kapiteni Sergio Ramos theu rekordin në ligën spanjolle, me kartonin e 19-të të kuq në karrierë, ndërsa Madridi realizoi rekordin më të keq të pikëve të fituara në një kampionat që nga viti 2008.
Në stadiumin e ri “San Mames” të Bilbaos, kampionët e Spanjës provuan gjithçka ndaj Atletikut, por nuk u eci, dhe nuk e shfrytëzuan dot shansin për t’u afruar në gjashtë pikë diferencë me Barcelonën.
Diferenca prej 8 pikësh me kreun është e madhe, ndërsa vendi i katërt në renditje i keq për një klub si Reali, edhe pse trajneri Zinedin Zidan, nuk heq dorë.

“Jam shumë i zhgënjyer duke pasur parasysh lojën që zhvilluam. E dinim se kishim shansin për të ngushtuar diferencën me Barcelonën, dhe bëmë gjithçka për t’ia dalë, por nuk mundëm. Meritonim më shumë se barazimin, por fatkeqësisht nuk shënuam dot golat. Krijuam shumë raste, por topi nuk donte të hynte. Më vjen keq për lojtarët që dhanë gjithçka në fushë. Do të kishte qenë fenomenale ta kishim ngushtuar diferencën, por do të kemi shanse të tjera. Jemi pak prapa në renditje, por kampionati është i gjatë, dhe unë mbetem optimist për titullin”.

Pjesa e parë në Bilbao ishte shumë e fortë, me baskët dhe madrilenët që krijuan mjaft mundësi për gol, ndërsa pas pushimit epërsia ishte e miqve, por pa konkretizim.
Reali mund të ankohet edhe për ndonjë vendim jo të drejtë të gjyqtarit, por gjithsesi, kjo nuk mjafton për të spjeguar atë që po i ndodh këtë sezon.
Skuadra e Zidanit shënon pak, vetëm 25 herë në 14 ndeshje, shumë poshtë mesatares së zakonshme, dhe shumë më keq jo vetëm sesa Barcelona, por edhe se Valencia.
Me një ritëm të tillë në sulm vështirë të mbrohet titulli, ndërsa yjet ofensivë si Zidan apo Benzema mbeten në krizë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!