TIRANË- Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, do të përcillet në banesën e fundit me ceremonial e nderime shtetërore ndërsa e diela e 2 nëntorit është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të tij.
Homazhet do të zhvillohen paraditen e të dielës në “Pallatin e Kongreseve”, ku do të mbajë një fjalë dhe kryeministri Rama, ndërsa flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet.
Në mesditën e të dielës, Shqipëria do të ngrijë një minutë në nderim të kryeministrit të parë të periudhës postkomuniste.
Gazetari Artur Nura, i ftuar në edicionin e lajmeve në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se Fatos Nano do mbetej në memorien kolektive, si një prej politikanëve më emblematik të demokracisë shqiptare.
“Kemi të bëjmë me një nga politikanët më emblematik të demokracisë shqiptare. Një lider histori i së majtës shqiptare. Fatos Nano tani u largu fizikisht nga jeta, por nga politika është larguar shumë herët”, tha ai.
Ai theksoi se Fatos Nano kishte një pushtet absolut në Partinë Socialiste, por pavarësisht këtij dominimi, ai lejoi garën dhe hyrjet e reja në parti. Sipas Nurës, dallimi mes Nanos dhe Berishës është si “nata me ditën”.
“Ai diti të largohej, por jo të gjithë e kuptuan. Diferenca mes Nanos dhe Berishës janë të mëdha, Si gazetar, kam vënë re që pushteti i Nanos në PS ishte absolut, por megjithëse ishte absolut, ai demonstroi liberalizim të Partisë Socialiste duke u dhënë mundësi të tjerëve të hynin në garë.
Distanca mes Nanos dhe Berishës janë si nata me ditën. Ka demonstruar pjekuri politike, për të ndërtuar dialog dhe me kundërshtarët politik. Ai ka dituar ta dallojë këtë gjë”, theksoi ai./abcnews.al

