Zi e madhe për Alex Ferguson, ish-trajneri legjendar humbet njeriun e dashur

schedule21:16 - 6 Tetor, 2023

schedule 21:16 - 6 Tetor, 2023

Dhimbje dhe zi në familje e Sir Alex Ferguson. Ish-trajneri legjendar i Manchester United, ka humbur bashkëshorten e tij. Cathy Ferguson ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

“Me pikëllim të thellë konfirmojmë ndarjen nga jeta të zonjës Cathy Ferguson, e cila la pas bashkëshortin e saj, tre djem, dy motra, 12 nipër e mbesa dhe një stërnip.
Familja kërkon privatësi në këto momente“, lexohet në komunikatën zyrtare të familjes Ferguson. Ndërkohë që dhimbjes së ish-trajnerit u bashkua edhe Manchester United.

“Të gjithë te Manchester United u dërgojnë ngushëllimet tona të përzemërta Sir Alex Ferguson dhe familjes së tij për ndarjen nga jeta të Lady Cathy.

Zonja Cathy ishte një grua, nënë, motër, gjyshe dhe stërgjyshe e dashur. Dhe një kullë force për Sir Alex gjatë gjithë karrierës së tij”.

Cathy dhe Sir Alex ishin të martuar prej vitit 1966. Pas tërheqjes përfundimtare në vitin 2013, duke i dhënë fund aventurës 26-vjeçare në pankinën e United, Sir Alex deklaroi:

“Gruaja ime ka qenë figura kryesore gjatë gjithë karrierës sime, duke ofruar një bazë stabiliteti dhe inkurajimi. Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të shprehur rëndësinë e asaj për mua”.

Sir Alex vendosi të tërhiqej nga United në vitin 2002, por ndryshoi mendje pas insistimit të Cathyt, e cila nguli këmbë që ai të vijonte punën si trajneri i skuadrës historike angleze.

11 vite më vonë, ajo kërkoi që Sir Alex ta mbyllte përfundimisht me trajningun pas vdekjes së motrës së saj, Bridget. Dhe Sir Alex e dëgjoi si gjithmonë, duke zgjedhur të ishte afër njeriut të zemrës në atë moment të vështirë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!