Zhvillimi i sektorit detar, Norvegjia mbështet Shqipërinë

schedule14:50 - 16 Nëntor, 2018

schedule 14:50 - 16 Nëntor, 2018

Shumë shpejt do të nisë thellimi i portit të Durrësit. Kjo pritet të rrisë kapacitetin përpunues në portin më të madh të vendit. Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

Norvegjia një prej shteteve udhëheqëse detare në botë do të asistojë Shqipërinë në zhvillimin e këtij sektori. Qeveria norvegjeze do të investojë 1,4 milion euro për të ngritur kapacitetet e autoriteteve publike detare dhe për të përsosur programet e studimit në Universitetin e Vlorës dhe të Durrësit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri vlerësoi projektin, ndërsa tregoi për investimet që do të kryhen në infrastrukturën portuale.

“Së fundi jemi dëshmitarë të investimeve që po bëhen në portin e Vlorës. Shumë shpejt do të fillojë edhe një investim i rëndësishëm për funksionimin e portit të Durrësit siç është thellimi i portit të Durrësit, që ka qenë një problem prej shumë vitesh dhe që ka ulur kapacitetet e përpunimit të portit të Durrësit. Nga ana tjetër kemi fituar një grant nga Bashkimit Europian, nëpërmjet WBIF dhe shumë shpejt do të kemi edhe financimin për investime kapitale, zgjerimin e infrastrukturës së portit të Durrësit.”

Sektori detar ka pasur rritje të konsiderueshme vitet e fundit duke u kthyer në burim për zhvillimin ekonomik. Vëllimi i kargove të ngarkuara dhe shkarkuara në portet e Shqipërisë ne vitin 2017 është rritur me 7,1% krahasur me 2016. Mallrat e transportuara në rrugë detare zënë 62,8% të totalit të transportit si dhe mallrat e importuara në rrugë detare zënë 48.6 %. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!