Gazeta italiane “La Verita” ka publikuar një tjetër video mbi çështjen e njohur si “Zhvatja”, në Maqedoninë e Veriut. Në të dëgjohet një zë femre që thuhet se i përket prokurores speciale Katica Janeva. Kjo e fundit ka pohuar se është zëri i saj, por ka pretenduar se është keqpërdorur.
Gazeta italiane “La Verita” në kanalin e saj në YouTube ka publikuar një video-incizim të ri dhe një version më të zgjeruar të xhirimit për rastin “Zhvatja”. Kësaj radhe në këtë video dëgjohet edhe zëri I Prokurores Speciale Katica Janeva…..” Mos u mërzit për asgjë, gjithçka do të jetë në rregull” – i thotë një zë femre biznesmenit Orce Kamçev, për të cilën gazetari Italian Laris Gajser thotë se i takon Prokurores Janeva.
Gazeta italiane thotë se xhirimi është bërë në shtëpinë e biznesmenit Orce Kamçev dhe se në të tregohet pagesa e parave dhe premtimet nga të dyshuarit se biznesmeni do të jetë I lirë ngase, sic thonë, PSP-ja nuk do të parashtrojë ankesë.
“Dy prokurorët e Prokurorisë Speciale që përmenden në xhirimet e gazetës italiane sot me anë të komunikatave kanë hedhur poshtë përgjegjësitë për keqpërdorime. Prokurorja Lile Stefanova ka akuzuar Janevën se ka kërkuar që të mbyllen lëndët dhe të dyshuarit të mos shkojnë në burg. Ndërkaq, Prokurorja Speciale në dorëheqje Katica Janeva përmes një komunikate de facto ka konfirmuar se zëri I saj I publikuar në xhirimet e “La Veritas” italiane është autentik, por thotë se kjo nuk dëshmon asnjë keqpërdorim”.
“La Verita” ka njoftuar se nuk bëhet fjalë vetëm për tekstin e fundit të publikuar në këtë media, ku janë kyçur katër video incizime me biseda, por, sic thonë, për komplet xhirimet e bisedave për rastin “Zhvatja”. Megjithatë, gjasat janë shumë të mëdha se këto publikime në median italiane nuk janë të gjithat sa u përket materialeve të biznesmenit. Mediat në Maqedoninë e Veriut njoftojnë se biznesmeni Orce Kamçev disponon me dëshmi disa orëshe të materialeve të xhiruara./ABC News Albania 24/7