Armand Duka ka folur rreth së kaluarës. Presidenti i FSHF-së qëndron në këtë post prej 20 majit të vitit 2002, ditë në të cilën i dhuroi pankinën e kombëtares italianit Giuseppe Dossena. Aventura e tij në stolin kuqezi zgjati vetëm tre muaj dhe u “zhduk” pas humbjes 4-1 në Rusi. Duka kujton gjithçka në një prononcim për Bresciaoggi.
Edoardo Reja është italiani i katërt që ulet në pankinën e Shqipërisë në epokën Duka, por më i dashuri është Gianni De Biasi. Në fund një koment për miqësoren e veçantë, Shqipëri-Brescia. Ishte viti gushti i vitit 2002 dhe në “Qemal Stafa” zbriste i shumëdashuri Roberto Baggio, ndërsa ndeshjen e fitonim ne me golin e Altin Lalës.
“Në vitin 2002 zgjodha Giussepe Dossena si trajner, por pas 4 ndeshjeve u largua. U zhgënjeva, por e dija që futbolli ynë mund të rritej vetëm me trajnerë të huaj. Duhej të prisnim atë të duhurin. Më pas doli të ishte ai që ishte kapiten dhe më pas trajner i Brescia, Gianni De Biasi.
Këtu është i dashur dhe nuk mund të ishte ndryshe. Me të në krye për herë të parë Kombëtarja jonë ka arritur në fazën e finale të një turneu të madh, EURO 2016. Gjithashtu në Francë u kemi bërë një përshtypje njerëzve, shkoi gjithçka përtej pritshmërive.
Më kujtohet viti 2002. Dossena më kishte kërkuar që të zhvillonim ndonjë miqësore ndërkombëtare. Atëherë nuk ishte momenti që të ndesheshim me Kombëtare të tjera, ndaj për këtë arsye duhej të gjenim një skuadër. Pranoi të vinte në Tiranë Brescia. I kemi kërkuar ndihmë Igli Tares, që ishte në atë ekip.
Madje një pjesë e ka zhvilluar me Shqipërinë dhe pjesën tjetër me ata. Kontakti u bë edhe me drejtorin sportiv, Gianluca Nani. Ishte festë e madhe në Tiranë, pasi kishte ardhur Baggio“, deklaron Duka. /abcnews.al