Zhgënjim në kampin republikan për paraqitjen e Trump

schedule14:05 - 11 Shtator, 2024

schedule 14:05 - 11 Shtator, 2024

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve shprehën zhgënjimin me paraqitjen e ish-presidentit Donald Trump në debatin me kundërshtaren Kamala Harris. Sipas sondazheve, opinioni publik në tërësi vlerëson se Kamala Harris është fituesja e debatit të mbremshëm.

“Është e trishtë,” tha një republikan. Ai shtoi, duke iu referuar Harris, se ajo “e dinte saktësisht se ku të godiste”.

Trump e lejoi veten të shpërqendrohej nga pikat qendrore të debatit ndërsa Harris e shtyu atë të fliste për madhësinë e turmave në mitingjet e tij ose të bënte pretendime të rreme për abortin, thanë analistët politikë.”

“Është zhgënjyese që ai nuk ishte si në debatin e parë,” tha një tjetër republikan, duke shtuar: “Rruga thjesht u përkeqësua dhe kjo nuk është një gjë e mirë”.

Një sondazh i CNN pas debatit konfirmon vlerësimet e para të analistëve politikë dhe zyrtarëve të të dyja partive (demokratëve dhe republikanëve), në lidhje me ecurinë e dy kandidatëve për president.

Dy të tretat e publikut që ndoqën debatin mendojnë se Harris performoi më mirë se Trump.

Sipas të dhënave të CNN, ” 96% e mbështetësve të Harris mendojnë se zëvendëspresidentja ia doli më mirë, ndërsa një shumicë më e vogël prej 69% e mbështetësve të Trump mendojnë se ish-presidenti është fituesi i natës”.

Një tjetër republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti, tha se Harris “bëri një punë të mirë duke sfiduar Trump”.

Ai pranoi se “shumë janë të zhgënjyer që ish-presidenti nuk arriti të qëndronte i fokusuar apo të godiste kundërshtarin e tij politik”.

“Nuk është katastrofike por nuk është diçka e mirë,” përfundoi ai.

Analistja politike konservatore e Fox News Britt Hume shprehu gjithashtu vlerësimin që Harris fitoi.

Rezultati i sondazhit të CNN – 63% për Harris, 37% për Trump shënon një përmbysje të peizazhit politik që mori formë pas debatit Trump – Joe Biden gjatë verës, pas tërheqjes së Biden.

Kjo u pasua me njoftimin e superyllit Taylor Swift se do të votonte për Harris, gjë që thjesht, sipas shumë analistëve, “vulosi” garën në favor të zëvendëspresidentes amerikane.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!