Një skuadre kaq të madhe nuk i kanë munguar yjet e ndritshëm.
Për të krijuar idenë se çfarë është Juventusi, mjafton të përmendim emra të tillë si Roberto Baxho, pra “Bishtaleci Hyjnor”, apo “alieni” Omar Sivori.
Nuk dihet nëse ai që në Francë cilësohet “Mbreti i Driblingut”, shqiptari i Kosovës Edon Zhegrova, do të arrijë nivele të tilla qiellore, por gjithsesi, talenti nuk i mungon aspak.
Le të mos gënjehemi nga shifrat, pra që klubi piemontez pagoi vetëm 15 milionë euro për kartonin e tij, shifër që mund të arrijë në 18 milionë, ndërsa Lila mund të marrë një pjesë të përfitimeve në rast transferimi të ardhshëm.
Vetë lojtari I “dardanëve” do të ketë rrogë të siguruar prej 2.5 milionë euroësh në sezon.
Në moshën 26-vjeçare, Zhegrova përfaqëson një investim serioz të “Zonjës së Vjetër”, sidomos në një periudhë të vështirë financiare për Serinë A italiane.
Me ndihmën edhe të qeverisë shqiptare të Edi Ramës, dhe të presidentit të Republikës, Bajram Begaj, lojtari I lindur në Gjermani ka hedhur hapin e madh në karrierë.
Padyshim që në Torino e dinin se ç’po bënin.
Zhegrova e tregoi veten në Champions sezonin e kaluar, siç e provoi vetë Juventusi, por edhe Atletiko e padyshim edhe “mbretërit” e Europës, yjet e Realit të Madridit.
“La Gazeta delo Sport” shkruan se në Stadiumin “Alianc” nuk po vjen thjesht një driblues I madh, sepse ai ka edhe armë të tjera të forta, si vizioni I lojës, shënimi I golave, krijimi I rrjetave apo përshtatja në skema të ndryshme.
Nuk është se shqiptarët kanë qenë të shumtë tek “Zonja e Vjetër”.
Duke mos llogaritur Xhakomo Vrionin që u largua menjëherë për në Austri e tani në Shtetet e Bashkuara, i vetmi yll i vërtetë ka qenë Riza Lushta.
Sulmuesi i klasit të lartë, që luajti për bardhezinjtë në vitet 40-të, shënoi 42 gola në 80 ndeshje e fitoi Kupën e Italisë, është pikërisht një paraardhës i Zhegrovës, edhe ai shqiptar i Kosovës, lindur në Mitrovicë, dhe i zbuluar tek Tirana.
Tashmë, mbetet të presim shkëlqimin e Edon Zhegrovës, që mund të pushtojë Italinë pse jo edhe Championsin për “Zonjën e Vjetër”./abcnews.al

