Zhdukja e 2 milion eurove në Kosovë, ministrja e Financave: Transferimi, sulm kibernetik

schedule13:57 - 22 Tetor, 2020

schedule 13:57 - 22 Tetor, 2020

Ministrja e Financave në Kosovë, Hykmete Bajrami është shprehur se transferimi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

Komentet, Bajrami i bëri gjatë një raportimi sot para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasuordet”, tha Bajrami.

Sipas saj transaksioni prej mbi 2 milionë eurosh, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka. Për këtë transaksion ka shtuar Bajrami, nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës.

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, deklaroi ajo.

Lidhur më këtë rast Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati.

I arrestuari është L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Veton Rrecaj, avokati i punonjësit të Thesarit të Kosovës tha se vendimi për masën e paraburgimit ndaj klientit të tij do të merret në ora 13:00. Ai pohoi se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!