Shefi i agjencisë policore ndërkombëtare, Interpol, është zhdukur pa lënë gjurmë gjatë një vizite në Kinë. Autoritetet në Francë kanë nisur një hetim mbi episodin, ndërkohë që një gazetë aziatike shkruan se drejtori mund të jetë rrëmbyer nga autoritetet kineze.
Autoritetet franceze kanë hapur një hetim në lidhje me zhdukjen e Meng Honguei, shefi kinez i agjencisë ndërkombëtare policore Interpol. Hetimi ka nisur pasi familja e zyrtarit të lartë bëri me dije se kishte humbur kontaktet me të që kur ishte larguar nga selia e Interpol në Lion për një udhëtim në Kinë, një javë më parë.
Agjencia e lajmeve “AFP”, që citon burime të afërta me hetimin, bën me dije se Honguei nuk është zhdukur në territorin francez. Ndërsa një e përditshme kineze raporton se drejtori 64-vjeçar është rrëmbyer në Kinë për t’u marrë në pyetje.
Gazeta me seli në Hong Kong ka shkruar se shefi i Interpol po hetohet nga autoritetet disiplinore kineze, por nuk ka qenë në gjendje të saktësojë se për çfarë dhe se ku po mbahet. Nga ana e tyre, autoritetet kineze kanë refuzuar të bëjnë komente.
I zgjedhur si president i Interpol-it në Nëntor 2016, Meng Honguei pritet ta drejtojë agjencinë policore deri në vitin 2020. Ai është një anëtar i hershëm i Partisë Komuniste në Kinë dhe ka shërbyer edhe si zëvendës ministër për rendin publik.
Ai ka në kurrikulumin e tij edhe një eksperiencë 40-vjeçarë në polici dhe drejtësinë penale. Kur bëri denoncimin në polici, bashkëshortja e tij deklaroi se kishte humbur çdo kontakt që prej 29 Shtatorit, kur ishte nisur për në Kinë. Burime policore, të cituara nga mediat franceze, e kanë cilësuar episodin si shumë shqetësues dhe kanë kërkuar nga autoritetet kineze të marrin përgjegjësi./abcnews.al