Zhduket biznesmeni shqiptar në Greqi, policia dhe familjarët në alarm

schedule16:06 - 2 Shtator, 2022

schedule 16:06 - 2 Shtator, 2022

Një emigrant shqiptar në Greqi rezulton i zhdukur prej pesë ditësh.

Familjarët e tij të alarmuar, kanë denoncuar në polici zhdukjen e 46-vjeçarit, i cili jeton dhe punon prej vitesh në ishullin grek Rodos. Siç raportojnë mediet greke, emigranti shqiptar është parë për herë të fundit mbrëmjen e 28 gushtit.

Zhdukja e 46-vjeçarit ka shkaktuar shqetësim të madh te bashkëshortja dhe vëllai i tij, të cilët prej pesë ditësh janë duke e kërkuar atë në vendet ku ai frekuentonte më së shumti.

Telefoni i tij mbetet i fikur, ndërsa shqetësim shkakton fakti që makina e tij u gjet e braktisur afërsisht dy kilometra larg shtëpisë së tij.

Informacionet thonë se 46-vjeçari ka qenë me miqtë e tij pasditen e 28 gushtit, ndërsa mbrëmjen e së njëjtës ditë ka pasur një takim të planifikuar me një klient për punën, në një hotel Rodos në zonën e Kalithon.

Nga kontrolli i bërë në kamerat e sigurisë, u konstatua se 46-vjeçari është drejtuar drejt kësaj zone.

Policia ka kontrolluar të gjitha hyrjet dhe daljet nga ishulli, por pa asnjë rezultat. Njëkohësisht po merren në pyetje edhe personat me të cilët 46-vjeçari ka pasur transaksione financiare dhe profesionale. Të gjitha pistat për zhdukjen e shqiptarit janë të hapura./abcnews.al/