Zgjidhja e krizës, Basha: Mirëpres angazhimin e ndërkombëtarëve

schedule18:16 - 14 Maj, 2019

schedule 18:16 - 14 Maj, 2019

Nuk ka vonuar përgjigja e kreut të PD ndaj kryeministrit, njëlloj përmes një komunikimi me gazetarët. Lulzim Basha tha se mirëpret angazhimin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, por me kushtin e pandryshuar se Edi Rama duhet të largohet si kryeministër.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, kreu i PD-së, Lulzim Basha, nënvizoi disa herë se PD-ja dhe opozita janë gati për një proces politik për zgjidhjen e krizës me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që ka shprehur tashmë gatishmërinë për ndërmjetësim. Por kreu i opozitës nuk heq dorë nga kushti që përsërit prej javësh: qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.

“Partia Demokratike dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politikë me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë krizë dhe për t’i kthyer shqiptarëve sovranitetin e vjedhur dhe institucionet dhe proceset politike të marra peng”, tha Basha.

Besimin për të mos hequr dorë nga kushti i tij, e gjen tek pjesëmarrja e lartë e qytetarëve në protestat e opozitës, si ajo e të hënës pasdite, një marshim mbi 9 kilometra në një kohë me shi.

Tek bashkimi i shqiptarëve gjen arsyen për të mos lejuar më në Shqipëri zgjedhje të marra peng nga krimi i organizuar. E pranon se kundërshtarin politik nuk e përcakton dot, por insiston se Edi Rama nuk mund të jetë më kryeministri i zgjedhjeve të ardhshme.

“Edi Rama nuk mund të jetë kryeministër kujdestar i një procesi tjetër zgjedhor”, tha Basha.

Opozita ka humbur afatin ligjor të regjistrimit për zgjedhjet vendore, por Basha beson se bashkimi i shqiptarëve në protestat e ardhshme, nuk do lejojë kapjen nga kryeministri edhe të qeverisë vendore më 30 Qershor.

“Nuk do ta lejojë që 30 qershori të hyjë në historinë e Shqipërisë, si dita kur tirania e krimit çimenton pushtetin dhe kap edhe pushtetin vendor”, tha Basha.

Bashkimi i shqiptarëve ka marrë përmasa që tejkalon kufijtë politik sipas Lulzim Bashës, që falenderoi disa herë shqiptarët dhe mediat që sfiduan shiun me marshimin mbi tre orësh të opozitës të hënën e 13 Majit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!