Partia “Zgjidhja” nuk do t’i bashkohet protestës së opozitës në 27 Janar. Në një deklaratë për shtyp përfaqësuesi i kësaj partie, Koço Kokëdhima renditi tre kushtet që duhet të plotësojnë partitë e vjetra nëse duan bashkëpunimin e partisë “Zgjidhja”.
Thonë se mbështesin çdo protestë paqësore por jo atë më 27 Janar.
Koço Kokëdhima: “Partitë e vjetra, veçanërisht PS dhe PD janë në bashkëpunim e marrëveshje me njëra-tjetrën, bëjnë sikur zihen e luftojnë, por në fakt mbajnë e alternojnë njëri-tjetrin në pushtet. “Zgjidhja” nuk do t’i bashkohet protestës së 27 janarit, mbështetësit e saj nuk do marrin pjesë në të”.
Partia “Zgjidhja” ka tri kushte për t’u bashkuar me Partinë Demokratike në një front të gjerë opozitar kundër qeverisë.
Koço Kokëdhima: “Kushti i parë, PD të distancohet qartazi dhe haptazi nga të gjitha aktet e saj antikombëtare dhe antipopullore të kryera në të shkuarën e afërt kur qeverisi Shqipërinë.
Kushti i dytë, PD të distancohet prerazi dhe përfundimisht nga çdo marrëveshje e fshehtë dhe pazar me Edi Ramën për të mbajtur peng zgjedhjet dhe për të mos lejuar demokratizimin e tyre. PD ta kushtëzojë pjesëmarrjen në parlament vetëm me kryerjen urgjente të reformës zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila duhet t’i çlirojë përfundimisht zgjedhjet shqiptare nga komisionerët e PD-së dhe të PS-së, të garantojë votim dhe numërim elektronik në qendrat e votimit dhe të gjitha standardet europiane të zgjedhjeve të lira. I vetmi vend në botë ku zgjedhjet administrohen nga dy parti dhe jo nga shteti, është Shqipëria. Reformën zgjedhore duhet ta udhëheqë prezenca e OSBE-së në Tiranë.
Kushti i tretë, qeverisja e mirë e Shqipërisë do të fillojë kur sovraniteti politik t’u merret kryetarëve të partive të vjetra dhe t’u kthehet qytetarëve të zakonshëm dhe taksapaguesve shqiptarë”.
Pa plotësuar këto tri kushte, Partia zgjidhja nuk do ketë asnjë bashkëpunim./abcnews.al