Zgjerimi i Greqisë në Jon, Dendias-Bakojanis: Historike, hapim epokë të re me Shqipërinë

schedule16:55 - 12 Janar, 2021

schedule 16:55 - 12 Janar, 2021

Projektligji për zgjerimin e Athinës me 12 milje në Jon ka nisur shqyrtimin pas dërgimit nga qeveria greke në parlament. Komiteti i Mbrojtjes së Jashtme dhe Kombëtare diskutoi sot projektligjin e Ministrisë së Punëve të Jashtme “Përcaktimi i shtrirjes së zonës bregdetare në rajonin e Detit Jon dhe Ishujt deri në Kepin Tainaro në Peloponez“.

Kjo është hera e parë që Parlamenti Grek thirret të votojë për të zgjeruar zonën e sovranitetit kombëtar, që nga viti 1947” tha Ministri i Jashtëm Nikos Dendias, duke shtuar “Qeveria sugjeron ushtrimin e së drejtës së patjetërsueshme të vendit tonë për zgjerimin nga 6 në 12 milje detare. Kjo do të rrisë sipërfaqen e sovranitetit kombëtar me 10,079 kilometra katrorë dhe nëse dikush merr parasysh zonën e krijuar nga mbyllja ligjore, sipas ligjit ndërkombëtar të gjireve, ajo tejkalon 13,000 kilometra katrorë” tha ai.

Ministri i Jashtëm kujtoi në këtë pikë se sipërfaqja e përgjithshme e Greqisë është 131,000 kilometra katrorë dhe se zona e Kretës është pak më shumë se 8,500 kilometra katrorë. “Pra, është një nder jashtëzakonisht i madh për mua, në emër të qeverisë Mitsotakis, të propozoj këtë projektligj” tha Nikos Dendias.

Për herë të parë, Greqia po ushtron të drejtën e saj të patjetërsueshme për të zgjeruar ujërat e saj territoriale. Ky është një projekt-ligj që është faza e parë e një serie veprimesh që Greqia ka të drejtë të bëjë, domethënë të zgjerojë ujërat e saj territoriale, kur e gjykon të përshtatshme në të gjithë territorin e saj” tha në fillim të takimit të sotëm kreu i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen në Parlamentin grek Konstantinos Gioulekas.

Dora Bakojanis që firmosi paktin e 2009 me Shqipërinë që e rrëzoi më pas Kushtetuesja në Tiranë e përshkroi debatin e sotëm në Parlament si “me rëndësi historike”. Deputeti Tassos Hadjivassiliou foli për hapjen e një epoke të re me Shqipërinë. “Greqia dhe Shqipëria kanë vendosur të referojnë çështjen e zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe në këtë mënyrë, besimi midis dy vendeve është forcuar. Rruga është e hapur për një epokë të re në marrëdhëniet tona me Shqipërinë” përfundoi ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!