Parlamenti Europian ka diskutuar pasditen e kësaj të marte strategjinë e BE për zgjerimin me vendet e Ballkanit, e cila në përgjithësi është mirëpritur nga grupimet e ndryshme politike. Në fjalën e saj, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka deklaruar se perspektiva europiane vlen për të gjitha vendet e rajonit, por procesi i integrimit do të varet nga meritat e secilit vend.
Mogherini ka theksuar se viti 2025 tregon qëndrimin e qartë se Brukseli po i bën një ofertë të sinqertë Ballkanit, vendet e të cilit sipas saj, ose do t’ia dalin së bashku, ose do të dështojnë së bashku.
“Ne nuk po i themi vendeve të Ballkanit se duhet të prisni, por po i themi le ta bëjmë të mundur”, ka thënë Mogherini.
Në të njëjtat linja, komisioneri për Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn ka thënë se caktimi i vitit 2025 shërben si një stimul. Por sa u takon kritereve, ato nuk do të ndryshojnë, ka theksuar ai. Ndonëse jo në mënyrë direkte, Hahn i ka përcjellë një mesazh edhe Serbisë lidhur me qëndrimin e saj ndaj Kosovës, kur ka thënë se BE nuk do të importojë çështje të pazgjidhura mes vendeve fqinje./abcnews.al