Ashtu si edhe për reformën territoriale, ndonëse me një përqindje më të vogël, shqiptarët mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë edhe në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në sondazhin e kësaj të hënë ‘Zëri i Shqiptarëve’ në ABC News, 70.3% e shqiptarëve shprehen se opozita duhet të marrë pjesë në këtë komision, pasi do t’i bënte zgjedhjet e ardhshme më të mira. 19.8% mendojnë të kundërtën, opozita nuk duhet të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi do të shërbente si fasadë e mazhorancës, ndërsa 9.9% e të tjerë janë të dyzuar.
Kampioni në këtë sondazh është 2488 banorë të rritur të vendit. Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë dhe u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike, me një marzh gabimi statistikor për kampionin e plotë: +/- 2%. / abcnews.al/


