“Zgjedhjet, privilegj i askujt”, Tabaku: E pafalshme mungesa e vullnetit për të ndryshuar sistemin

schedule13:56 - 26 Korrik, 2024

schedule 13:56 - 26 Korrik, 2024

Ndonëse përshëndeti konsensusin për votën e diasporës, deputetja demokratë Jorida Tabaku, theksoi sot në seancën maratonë, se parlamenti dështoi në miratimin e reformës zgjedhore.

“Para një viti sollëm një draft ligjor, për votën e diasporës si një detyrim kushtetues. Sot të gjithë e kemi pjekurinë për të kuptuar që zgjedhjet nuk duhet të jenë domain, apo privilegj i askujt.

Gjiknuri e tha qartë sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot po miratojmë minimumin e mundshëm. Ajo që duhej bërë sot nuk është bërë. Ky dështim, është një dështim I këtij parlamenti që mbyll sesionin si gjithmonë në fund të sezonit me një votim natën.

Në 2009 u ndryshua kodi për të larguar nga parlamenti persona me rekorde kriminale, një përpjekje e dështuar. Dy vite me pas votuam dekriminalizimin. Nga 2009 deri më sot zgjedhjet fatkeqësisht kanë degraduar. Nuk I ofron qytetarëve të kenë një demokraci pjesëmarrëse. Jam për sistem maxhoritar, ku secili prej nesh do kishte mundësi të testonte punën e tij. Ne sot këtë nuk po e ofrojmë, një ndryshim sistemi për mundësi ndryshe. A ngrihemi dot mbi interesat politike të ndryshojmë rregullat e lojës edhe kur na prekin ne? Fatkeqësisht nuk e kemi treguar atë pjekuri. Sot po bëjmë minimumin e mundshëm. Nuk po ofrojmë një reformë gjithëpërfshirëse. Mbetet pa adresuar, fakti që nuk ka një ndarje të partisë me shtetit, që ka influencë mbi votën. Nuk ruhet sekreti I votës. Nga 2013 deri sot nuk është realizuar asnjë rekomandim i OSBE/ODIHR. Është çështje e vullnetit politik që nuk e ka dhënë maxhoranca.” theksoi Tabaku, ndërsa gishtin e përgjegjësisë e drejtoi edhe në radhët e opozitës.

“Asgjë nuk duhet të pengonte opozitën të mos bënte prioritet ndryshimet zgjedhore, ky është faji jonë dhe ju me të drejtë mund ta përdorni. Por është e pafalshme mungesa e vullnetit politik për të ndryshuar sistemin. Diskutojmë pas 30 vitesh tranzicion të njëjtat çështje e problem. Është shqetësim që shkon përtej politikës.

Sot secili prej nesh duhet të ngrihet në lartësinë që na kërkojnë shqiptarët. Po ofrojmë votën e diasporës, që shpresoj mos mbetet në letër, por duhet t’i ofrojmë qytetarëve mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Ka qenë një proces që nuk na ka bërë nder. Po zbatojmë vetëm detyrimin e Kushtetueses.” –shtoi Tabaku, ndërsa shprehu mbështetje për amendamentin e propozuar nga deputetet Gjonaj dhe Çupi, për kuotat gjinore.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!