Zgjedhjet presidenciale amerikane, pjesëmarrje e lartë e komunitetit mysliman

schedule22:52 - 1 Nëntor, 2020

schedule 22:52 - 1 Nëntor, 2020

Sipas një sondazhi nga Instituti për Politika Sociale, 78 për qind e myslimanëve me të drejtë vote në ShBA janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet presidenciale të së martës.

Kjo shënon një rritje të konsiderueshme krahasuar me 60 përqind në zgjedhjet 2016-ës.

“Po punohet shumë në terren me komunitetet myslimane amerikane sa i përket përpjekjeve për të votuar, veçanërisht në shtete kryesore si Miçigani dhe Florida”, tha Erum Ekramullah nga Instituti për Politika Sociale.

Xhamitë në Shtetet Bashkuara kanë shërbyer si qendra të komunitetit për rritjen e angazhimit në votime. Qendra Adams në Virxhinia është qendra më e madhe islamike në Shtetet e Bashkuara.

Ata po mobilizojnë votuesit myslimanë në zonën e Uashingtonit përmes grupit për angazhim qytetar Adams.

“Deri në fundjavën e fundit para zgjedhjeve, ne do t’u bëjmë thirrje njerëzve të votojnë herët. Po i bëjmë të kuptojnë se ata po shtojnë zërin e tyre në demokracinë amerikane”, tha Syed Ashraf nga Grupi për Angazhim Qytetar Adams.

Zoti Ashraf thekson se Qendra Adams është një organizatë jofitimprurëse, qëllimi i së cilës është rritja e ndërgjegjësimit të votuesve për rëndësinë e votimit, dhe jo mbështetja për një kandidat të caktuar.

“Duhet të sigurohemi se çdo organizatë me të cilën punojmë, funksionon në përputhje me rregulloret shtetërore sepse jemi qendër islamike, organizatë jofitimprurëse, prandaj nuk mund të punojmë me organizata që mbështesin njërin ose tjetrin kandidat”, tha ai.

Edhe organizata të tjera në ShBA informojnë myslimanët për rëndësinë e votës dhe zërit të tyre në skenën politike.

“Zëri dhe votat e tyre kanë rëndësi. Në vende si Florida, Pensilvani dhe Miçigan, komuniteti mysliman mund të marrë pjesë në zgjedhje në disa mënyra. Financimi i arsimimit të fëmijëve tanë në të ardhmen, kujdesi shëndetësor për ne, drejtësia penale e madje edhe politikat e jashtme kanë rëndësi për komunitetin tonë“, tha Shahid Rehman nga Institucioni Mysliman Amerikan.

Organizatat thonë se presin më shumë se tre millionë myslimanë amerikanë të votojnë në zgjedhje presidenciale./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!