Zgjedhjet për kreun PD-së, voton Ibsen Elezi: Mos të bëhen shkelje, do ta njoh rezultatin

schedule11:08 - 22 Maj, 2022

schedule 11:08 - 22 Maj, 2022

Ibsen Elezi i cili garon “kokë më kokë” sot me ish-kryeministrin Sali Berisha për kreun e PD-së,  bëri thirrje që mos bëhen shkelje në procesin e votimit.

Ai tha  që komisionerët të heqin imazhin e 13 qershorit.

Ndërsa theksoi se pas shpalljes se vendimit  do ta njohë  rezultatin.

“Komisionerët kanë në dorë një proces që ka të bëjë me demokracinë, me votën dhe ajo çfarë unë kam bërë thirrje sot që në mëngjes është të heqin imazhin e 13 qershorit, të numërojnë çdo votë. Ka zëra që qarkullojnë se proceset kanë pasur shkeljet nga më të rëndat në të kaluarën.

Unë bëj thirrje dhe vjen logjikisht, nuk kam informacion dhe asnjë fakt për shkelje deri tani. Ka qenë situatë e tensionuar që vëzhguesit kanë pasur dilemat e veta dhe unë kam qenë tolerues. Drita e së ardhmes nuk është as doktori, as unë, por demokracia në këtë vend. Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.

Ai tha nuk do të tolerojë parregullsi të konstatuara të kryera nga komisionerët.

“Jam fokusuar shumë te procesi dhe ndaj kam pranuar të jem në këtë garë. Kam luftuar shumë për proceset. Pas shpalljes së vendimit do ta njoh rezultatin. Kam toleruar shkelje të vogla, por nëse verifikohet se komisionerët nuk do jenë korrekt nuk do ta toleroj”, tha Elezi gjatë komunikimit për mediet pasi votoi për kerun e PD-së.

Komisioni i Rithemelimit po zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së. Në garë janë Sali Berisha dhe Ibsen Elezi, dy kandidatët e vetëm për kryetar të Partisë Demokratike.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe do të mbyllet në orën 18:00. Zgjedhjet po zhvillohen në 108 qendra qendra votimi, ndërsa i pari në fletën e votimit është vendosur ish-kryeministri Sali Berisha kurse i dyti rivali i tij Ibsen Elezi.

Lexo edhe: LIVE/ Vijon votimi për kryetarin e ri të PD-së, Berisha në garë me Elezin: Sot shohim dritën e shpresës

Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Këto zgjedhje që zhvillohen nga Komisioni i Rithemelimit vijnë në një kohë që çështja e drejtimit të PD është ende në pa një vendim të fundit nga ana e Gjykatës, e cila pak javë më parë ka pranuar ankimin e Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, që regjistroi ndryshimet statutore të PD të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit të zhvilluar nga Komisioni i Rithemelimit.

Pa pritur vendimin e Gjykatës Komisioni i Rithemelimit caktoi datën e zgjedhjeve të reja, ndonëse nga pala tjetër, që është konsideruar si e Alibeajt, këto zgjedhje janë të njëanshme dhe nuk kanë përfshirë të gjithë demokratët

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!