Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK. Në një intervistë për emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, Karamuço tha se këtë herë Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka lënë më shumë kohë për vlerësimin e kandidatëve, rreth dy javë pas përfundimit të seancës dëgjimore.
Ai vlerësoi se të katër kandidatët për drejtimin e SPAK-ut gëzojnë integritet dhe aftësi të larta profesionale, ndërsa theksoi se procesi po ndiqet me kujdes për të garantuar paanshmërinë dhe transparencën. Sipas tij, Altin Dumani mbetet një prej figurave më të forta dhe dinamike në këtë garë, me një profil reaktiv dhe ritëm të lartë pune në hetime.
“Kjo është një seancë normale lidhur me këto faza. Vitet më parë kemi parë që kjo seancë ka qenë 24 orë para se të votohej drejtuesi i ri. kurse tani kanë dhënë pak më shumë kohë. Mendohet që t’i lihet KLP-së 2 javë kohë nga zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK. Do të shikohet se cili kandidat plotëson më mirë kriteret nga të tjerët.
Të katërt kandidatët gëzojnë integritet dhe aftësi shumë të mira profesionale. Ata e kanë një vizion të qartë, që duhet të ecin përpara sipas një shembulli dhe një vazhdimësi të konsoliduar. Kemi dhe prokurorë që kanë marrë dekorata nga shtetet partnere edhe pse nuk bëhen publike. Kanë krijuar një identikit. Ata janë në merak më shumë për garantimin e këtij procesi, që të jetë i paanshëm. Di që kanë lëvizur disa gjëra brenda SPAK, ka pasur dhe një ndihmë nga jashtë.
Altin Dumani ka një profil shumë të fortë, reaktiv, që nuk ndalet dhe ka një ritëm shumë të shpejtë të provave. Ka dhënë prova që nuk bënë dallim. Nuk mendoj se do të jetë i qetë, por sërish shumë problematik në çështjet që ka, sepse ka profilin e tillë. Do të jetë i fortë krahas të gjithë prokurorëve që bëjnë atë punë”, tha Karamuço.

