Zgjedhjet për Kongresin, demokratët lenë pas republikanët

schedule09:25 - 10 Tetor, 2018

schedule 09:25 - 10 Tetor, 2018

Rreth 1 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve afatmesme për Kongresin, demokratët kanë lënë pas republikanët në sondazhe. Në një anketë të publikuar nga CNN rezulton se avantazhi i demokratëve është 13 për qind, më i larti që prej vitit 2006.

Kur mungojnë 4 javë nga zgjedhjet për Kongresin, demokratët në Shtetet e Bashkuara gëzojnë një avantazh të theksuar ndaj republikanëve. Sipas një sondazhi të publikuar të martën nga CNN, 54 për qind e votuesve mbështesin demokratët dhe vetëm 41 për qind republikanët.

Bëhet fjalë për avantazhin më të thellë për një cikël politik afatmesëm që prej vitit 2006, kur demokratët kishin 21 pikë avantazh dhe morën nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve dhe bënë Nensi Pelozin kryetare deri në vitin 2011.

Këtë vit, pritshmëritë e demokratëve janë rritur ndjeshëm dhe 62 për qind e të intervistuarve thonë se janë jashtëzakonisht entuziastë për të vajtur në votime. Ndërsa entuziazmi i republikanëve llogaritet vetëm në 52 për qind, me një rritje modeste prej 2 pikë që nga shtatori.

Madje, entuziazmi në radhët e demokratëve këtë vit është edhe më intensiv se më parë. 40 për qind e tyre shprehen “jashtëzakonisht entuziastë” për procesin elektoral që po afron, që është dhe kuota më e lartë që prej vitit 2009.

Në fakt, shkruan CNN, optimizmi i elektoratit demokrat këtë herë ngjason me atë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008. Pak para se presidenti Barack Obama të zgjidhej, 45 për qind e demokratëve me padurim prisnin të shkonin në votime.

Dhe në fakt, në 2008-n demokratët fituan 8 vende më shumë në Senat dhe 21 në Dhomën e Përfaqësuesve kundrejt republikanëve, pa harruar këtu fitoren e presidencës. Një tjetër tregues i sondazhit është edhe mbështetja e fortë e grave amerikane për demokratët.

63 për qind e grave të intervistuara kanë deklaruar se do të votojnë për demokratët dhe vetëm një e treta është shprehur në favor të republikanëve. Burrat ndërkohë janë të pavendosur, por më të prirur për të zgjedhur republikanët, ndërsa demokratët mbështeten nga 45 për qind e të intervistuarve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!