Zgjedhjet pandemike të ballkanasve!

schedule20:42 - 3 Qershor, 2020

schedule 20:42 - 3 Qershor, 2020

Covid 19 ridrejtoi vëmendjen tek pandemia dhe kriza shëndetsore në vendet e Ballkanit, ashtu si edhe në pjesën tjetër të botës, të cilat deklaruan shpalljen e  gjendjes së jashtëzakonshme dhe kufizuan në maksimum lëvizjen e qytetarëve.

Por pas tre muajsh tashmë, vëmendja i është rikthyer përgatitjeve për zgjedhje të përgjithshme parlamentare, në të paktën 4 prej vendeve të rajonit, Maqedoni e Veriut, Serbi, Kroaci dhe Mali i Zi.

Synimi është për ti mbajtur zgjedhjet gjatë verës, edhe për shkak të frikës nga një valë e dytë e koronavirusit në vjeshtë, por edhe sepse elitat politike mendojnë se mund të përfitojnë nga masat populiste të marra gjatë pandemisë në mbështetje të qytetarëve.

Gjykata kushtetuese e Kosovës shuan shpresat e Vetevendosjes për zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli dhe këmbëngul që të mbahen zgjedhje, pasi qeveria e kryesuar nga Albin Kurti ra, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi. Por Gjykata Kushtetuese la në fuqi dekretin e presidentit Hashim Thaçi për ti dhënë mandatin Abdullah Hotit të LDK-së, për të krijuar qeverinë e re.

Vendimi i gjykatës dhe formimi i qeverisë së re me LDK-në, AAK-në, Nismën, Listën Serbe dhe minoritetet e tjera, çon për herë të parë në opozitë së bashku LVV-në dhe PDK-në. Gjykata vendosi njëzëri që dekreti i presidentit ishte në përputhje me kushtetutën dhe që “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit, dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës”.

Parlamenti i Kosovës ka 120 vende, nga të cilët 100 deputetë zgjidhen përmes sistemit proporcional, me lista të hapura, dhe 20 vende janë të rezervuara për pakicat kombëtare, ku serbët kanë 10 vende të rezervuara, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit kanë 4, boshnjakët 3, turqit 2 dhe goranët 1. Sipas kushtetutës së vitit 2008, pakicat mund të marrin vende shtesë në kuvend në varësi të votave që marrin në zgjedhje. Një skenë politike me shumë parti dhe ndarje të zonave të influencës, bën që të paktën deri tani, askush të mos ketë pasur mundësinë ta bëjë vetëm qeverinë e re. Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje doli me 29 deputetë, ndërsa LDK me 28 deputetë. Pragu elektoral është 5 përqind.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Parlamenti në Maqedoninë e Veriut ka 123 vende. 120 deputetë zgjidhen me sistem proporcional me lista të mbyllura ndërsa 3 vende zgjidhen nga maqedonasit që jetojnë jashtë vendit. Por këto tre vende plotësohen në këtë mënyrë vetëm nëse numri i votave tejkalon ato të kandidatit të zgjedhur me numrin më të ulët të votave në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e mëparshme.

Maqedonia e Veriut ka një sistem shumëpartiak, me parti të shumta në të cilat asnjë parti shpesh nuk ka mundësi ta fitojë e vetme pushtetin dhe partitë duhet të punojnë me njëra-tjetrën për të formuar qeveritë e koalicionit.

Si Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) e Zaev, ashtu edhe opozita nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila kundërshton ndryshimin e emrit në Maqedoni e Veriut, filluan fushatën deri në fillim të tetorit 2019 pasi dukej se do të kishte zgjedhje të parakohshme. Fushata e LSDM-së theksoi rolin e partisë në integrimin euro-atlantik të vendit, përfshirë zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë dhe sigurimin e anëtarësimit në NATO. Fushata e VMRO-së kundërshton ndryshimin e emrit dhe akuzon qeverinë për korrupsion. Më 19 shkurt Aleanca për Shqiptarët (AA) dhe Alternativa njoftuan arritjen e marrëveshjes për koalicion zgjedhor.

Më 27 shkurt, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Lëvizja Besa njoftuan marrëveshjen për koalicion zgjedhor. Në Maqedoninë e veriut përballen social-demokratët e Zoran Zaev me opozitën e djathtë nacionaliste VMRO-DPMNE të Hristijan Mickoskit. Social Demokratët zgjodhën të shkonin në zgjedhje të parakohshme, pasi Franca bllokoi fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave për pranim në BE. Bllokimi ishte zhgënjyes për një vend që kishte arritur marrëveshje historike miqësie me Bullgarinë dhe Greqinë fqinje dhe madje kishte ndryshuar emrin, që kundërshtohej nga Greqia, për të hapur rrugën për anëtarësimin në BE.

Opozita e sulmoi ashpër Zaevin për ndryshimin e emrit, ndërkohë që vendi nuk mori përfitimet që priste. Fushata zgjedhore tani ridizajnohet nën dritën e një situate të re, ku megjithatë, social-demokratët do të përfitonin më shumë nga mbajtja e zgjedhjeve në verë, sa më shpejt, ndërsa VMRO-ja në opozitë, do ta kishte më për mbarë mbajtjen e zgjedhjeve në vjeshtë, kur vendi pritet të përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi

Parlamenti serb ka 250 vende dhe deputetët zgjidhen me sistem proporcional me një njësi zgjedhore. Pragu electoral është 3 përqind këtë herë, nga 5 përqind që ishte në zgjedhjet e kaluara. Metoda d’Hondt përdoret për ndarjen e vendeve në parlament. Zgjedhjet shpallen nga Presidenti i Republikës, nëntëdhjetë ditë para skadimit të mandatit të Asamblesë Kombëtare, në mënyrë që zgjedhjet të mund të përfundojnë brenda gjashtëdhjetë ditëve në vijim.

Deputetët zgjidhen në Republikën e Serbisë si një njësi zgjedhore, duke përdorur sistemin zgjedhor proporcional, duke votuar për listat zgjedhore, dhe duke shpërndarë mandatet e deputetëve në proporcion me numrin e votave që kanë marrë nga listat. Anëtarët e Komisionit Zgjedhor të Republikës dhe zëvendësit e tyre emërohen për një periudhë katër vjeçare, ndërsa anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe zëvendësit e tyre emërohen për secilën palë zgjedhje.

Në Serbi, partia e Vuçiç duket të jetë praktikisht fituesja paraprake e zgjedhjeve pasi partitë opozitare të Aleancës për Serbinë kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet, duke e akuzuar Vuçiçin për autoritarizëm dhe plane për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.

Opozita ka protestuar që prej një viti kundër qeverisë dhe përpjekjet e BE-së për të ndërmjetësuar mes palëve nuk kanë dhënë rezultat. Vëzhguesit mendojnë se Vucic do të sigurohet që të ketë një pjesëmarrje të mirë në zgjedhje për ti dhënë legjitimitet atyre, ndërkohë që pritet të mbahen pa pjesëmarrjen e ndonjë opozite reale. Në favor të Vuçiç do të jenë edhe masat e marra gjatë pandemisë, si pagesa e një çeku stimulus prej 100 eurosh për secilin qytetar pas krizës apo ndihma e shtetit në pagesën e pagës minimale për ata që ishin në vështirësi.

Zgjedhjet parlamentare në Kroaci

Parlamenti i Kroacisë ka 151 deputetë. Nga ky numër, 140 zgjidhen në dhjetë zona elektorale që kanë më shumë vende në parlament dhe që përcaktohet në bazë të kufijve ekzistues të qarqeve. Zona e 11-të zgjedhore është për qytetarët e Kroacisë që jetojnë jashtë; numri i vendeve për këtë zonë elektorale është fiksuar në tre që nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura në dhjetor 2011.

Formula standarde “d’Hondt” zbatohet në votim (me përjashtim të zonës elektorale të dymbëdhjetë në të cilën zgjidhen përfaqësuesit e pakicave kombëtare), me një prag zgjedhor prej pesë përqind në secilin elektorat. Që nga viti 2015, zgjedhjet parlamentare kanë një element të votimit preferencial duke i lënë votuesit të zgjedhin jo vetëm një listë të kandidatëve, por edhe një anëtar të vetëm të të njëjtës listë. Nëse përqindja e votave për një kandidat tejkalon 10%, ato zgjidhen sikur të ishte një sistem me lista të hapura.

Renditja e listës ruhet për ata kandidatë që nuk plotësojnë këtë kuotë. Tetë anëtarë të tjerë të parlamentit zgjidhen nga zona e 12-të elektorale që përfshin tërë vendin. Kandidatët në këtë zonë elektorale zgjidhen nga votuesit që i përkasin 22 pakicave të njohura në Kroaci: minoriteti serb zgjedh tre deputetë, hungarezët dhe italianët zgjedhin nga një deputet secili, pakicat çeke dhe sllovake bashkërisht zgjedhin një deputet, dhe të gjitha pakicat e tjera zgjedhin dy deputetët e fundit.

Deputetët e pakicave zgjidhen me sistem të thjeshtë, fitojnë kandidatët me më shumë vota.  Kombësia e votuesve është e shënuar në regjistrin e votuesve. Mbështetja për qendrën e djathtë të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, nën kryeministrin Andrej Plenkovic, është rritur gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia. Sondazhet e fundit kanë treguar se HDZ-ja do të preferonte mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt për ta kapitalizuar këtë mbështetje sepse me kalimin e kohës, theksi do të vihet më shumë në ekonomi dhe pritet që të ketë recesion. Kritikët thonë se disa nga masat e marra nga Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile, në të cilën partia qeverisëse ka një ndikim të madh, duken si pjesë e një fushate elektorale të parakohshme.

Vendimet përfshinin ndalimin e punës të dielave, gjë që kënaqte shumë votues katolikë dhe konservatorë. Në një mënyrë të ngjashme, ky organ së fundmi lejoi që tubimet fetare të lejoheshin që nga 2 maji, përpara se të rihapeshin shkollat dhe vendet e tjera publike. Sidoqoftë, edhe opozita kryesore, social-demokratët, SDP, të drejtuar nga Davor Bernardiç, mund të përfitojnë nga zgjedhjet e mbajtura këtë verë sepse kriza shëndetësore ka fshirë nga mendja e publikut rivalët e tjerë më të vegjël të krahut të majtë, që në një situatë tjetër, do t’i kishin marrë vota SDP-së.

Zgjedhjet në Mal të Zi

Zgjedhjet në Mal të Zi duhet të mbaheshin në Mal të Zi jo më vonë se tetori 2020. Parlamenti malazez ka 81 vende dhe votohet me sistem proporcional me lista të mbyllura. Pragu elektoral për të hyrë në parlament është 3 përqind. Grupet pakicë që përbëjnë të paktën 15 përqind të popullsisë në një distrikt, bëjnë përjashtim dhe këtu, pragu electoral ulet në 0,7 përqind.

Milo Gjukanovic duket se dëshiron gjithashtu të zhvillojë zgjedhje në Mal të Zi para se vendi të përballet me situatën e vështirë ekonomike. Aq më tepër, pot ë kihet parasysh se ekonomia malazeze varet në një masë të madhe nga turizmi, i cili është goditur nga kriza.Komisioni Evropian paralajmëroi në prill të këtij viti, se Mali i Zi mund të zhytet në recession në 2020. Zyrtarisht, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin nga fundi i tetorit, por pas lirimit të masave që nga 1 qershori dhe mbajtjes plotësisht nën kontroll të situatës me zero raste me Covid 19 dhe asnjë rast aktiv, Gjukanovic mund të kërkojë ti mbajë zgjedhjet më herët. Partia e tij demokratike e socialistëve që ka qenë në pushtet për mbi 30 vjet, do të kishte përballë partitë opozitare të përçara. Edhe qeveria malazeze mund të llogarisë në mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve, për të cilët mori masa ekonomike për ti ndihmuar në këtë kohë pandemie.

Në prill, kryeministri Dushko Markoviç paraqiti një buxhet prej 71.4 milion eurosh për të ndihmuar kompanitë e vogla, sektorin e turizmit dhe qytetarët e prekur. Ai premtoi ndihmë financiare për të ndihmuar të moshuarit dhe punëtorët që u prekën nga masat e qeverisë për të luftuar Covid 19./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!