Kandidati shqiptar për kryetar të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj është shprehur i bindur për fitore. Pavarësisht konkurrencës së fortë të partive malazeze, Gjeloshaj ka deklaruar se Tuzi do të qeveriset nga shqiptarët.
Tre partitë kryesore shqiptare në Malin e Zi, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar janë bashkuar në një listë të vetme nën moton “Malësia na bashkon”. Përveç koalicionit “Alternativa Shqiptare”, në garë për 32 vendet e këshillit komunual të Tuzit, nga ku do dalë edhe kryetari i komunës, janë edhe 5 subjekte të tjera politike vendase. Nik Gjeloshaj është kandidati i përbashkët i koalicionit shqiptar për kryetar të komunës Tuz. Pasi ka hedhur fletën në kuti, ai është shprehur i bindur se Tuzi do të qeveriset nga shqiptarët.
Gjeloshaj: “Jemi të sigurt në fitore sepse ia kemi dalë të bashkojmë gjithë shqiptarët këtu, diasporën dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Të gjithë shqiptarët i kanë sytë sot nga Malësia dhe besoj se do të marrin lajme të mira”.
Treva e Malësisë së Madhe me shumicë shqiptare, Tuzi, u shpall komunë shtatorin e kaluar pas përpjekjeve prej mbi 3 dekadash të partive shqiptare për t’u shkëputur nga administrimi si pjesë e Podgoricës dhe ka 40 fshatra.
Gjeloshaj: “Jemi të bindur në fitore dhe do ta shohim shumë shpejt sa bindëse do të jetë”./abcnews.al