Janë pesë partitë e mëdha në Spanjë që kërkojnë fitoren në zgjedhjet e 28 prillit. Dhe pse fushata elektorale sapo ka nisur, është e qartë se asnjë nga këto parti nuk do të mund të krijojë qeveri pa një aleat.
Nis fushata elektorale në Spanjë në kuadër të zgjedhjeve të 28 prillit. Një panoramë e pasigurtë politike me pesë parti të cilat duan fitoren, por asnjëra prej tyre nuk është në gjendje që të krijojë një mazhorancë të sigurtë. Të paktën sipas sondazheve të fundit.
Nëse do të konfirmoheshin të dhënat e deritanishme nga këto sondazhe, parti e parë do të ishte PSOE e kryeministrit në largim Pedro Sanchez. Ky i fundit u shpreh se një aleancë e mundshme mes tre partive të së djathtës, një ditë pas zgjedhjeve, do e çonte sërish vendin në kaos. Kjo sepse korrupsioni do të rikthehej në institucionet shtetërore për shkak të një partie e cila nuk është ende e pastër në radhët e saj, dhe këtë e tregojnë raportimet e përditshme në media, theksoi ai.
Pa një mazhorancë të qartë, krijohet mundësia për një marrëveshje me separatistët katalanas, ndërsa socialistëve do i mbeteshin votat e nacionalistëve baskë.
Blloku tremb gjithsesi popullorët e Kasados i cili u shpreh se e vetmja parti që mund të fitojë përballë Pedro Sanchez është partia popullore: parti e qendrës së djathtë e cila mbron kushtetutën e vendit. Ai shtoi se partia e tij ka më shumë vota se blloku separatist aleat me komunistët dhe socialistët.
Socialistët shohin dhe mundësinë e një aleance me Podemos, e fortë nga sondazhet që parashikojnë se, mund të ketë deri në 30 deputetë në parlamentin e ardhshëm.
Pra dhe në këtë rast do të jenë partitë e vogla ato që vendosin, si partia e ekstremit të djathtë Voks, që sipas sondazheve mund të marrë deri në 30 deputetë.
Por ka dhe nga ata që flasin për një aleancë të mundshme të Psoe me Siudadanos, pavarësisht se të dyja palët kanë nxituar të përgënjeshtrojnë këtë mundësi. Të paktën për momentin./abcnews.al