Të dielën më datën 17 dhjetor do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Serbi. Pritet të kandidojnë për deputetë edhe përfaqësues të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanovci. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar hapur mbështetjen e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” të Shaip Kamberit.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, Kujtim Sadriu, nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim në Preshevë, ka deklaruar se Kurti ka bërë një përçarje jashtëzakonisht të madhe, si asnjëherë më parë në histori.
“Unë mendoj që është një përçarje jo vetëm në Preshevë dhe në Maqedoni. Asnjëherë më parë, as nuk janë përzierë liderat e tjerë. Ndërsa kryeministri Kurti ka bërë një përçarje jashtëzakonisht të madhe që askush se ka bërë në histori”.
Sa i përket numrit të shqiptarëve që do të votojnë në zgjedhjet për deputetët e parlamentit serb, analisti Agon Islami ndau përqindjet dhe theksoi se ekziston një garë e ngushtë pasi partia e Vuçiçit është në kufi të kryejë në koalicion me një tjetër partner.
“Numri i shqiptarëve që votojnë nga Komuna e Bujanovcit janë 65% shqiptarë, 30% serbe, të tjerët romë. Nga Komuna e Preshevës 97% shqiptarë, pjesa tjetër serbe dhe rome. Ndërsa nga komuna e Medvegjës, shqiptarët po e humbin të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.
Realisht pritet të shihet se cili do të jetë epilogu i zgjedhjeve të shqiptarëve në Serbi. Kemi një garë të ngushtë në Serbi, partia e Vuçiçit është në kufi të arrijë një koalicion me partnerin dhe mund të kemi një ndryshim. Megjithatë, shqiptarët duhet të dalin atje dhe të kemi një pjesëmarrje shumë të madhe, në mënyrë që të kemi marrjen e tre mandateve si në vitin 2020”, tha Islami./abcnews.al