Autorja e emisionit “Ballkan”, Linda Karadaku, e ftuar në “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo ka komentuar zgjedhjet e së dielës në Serbi.
Karadaku tha se nuk pati asnjë suprizë në këto zgjedhje, pasi ashtu siç pritej Aleksandar Vuçiç fitoi sërish.
Ajo tha se surpriza pati vetëm në zgjedhjet parlamentare, pasi mendohej që partia e Vuçiç të fitonte e vetme, por edhe këtë herë do duhet të qeverisë me partinë e Ivica Daçiç.
Ndërkohë autorja e “Ballkan” theksoi se ajo që është një surprizë e hidhur për shqiptarët, është se ndryshe nga parlamenti i kaluar në Serbi ku shqiptarët kishin 3 përfaqësues këtë herë rrezikojmë mos kemi asnjë.
Sipas saj kjo për shkak të përçarjes dhe mos gjetjes së gjuhës së përbashkët mes shqiptarëve.
“Ka qenë i pritshëm. E kemi thënë në Ballkan në 3 emisionet e fundit, që nuk kishte pritshmëri që opozita të fitonte të paktën zgjedhjet presidenciale. Kundër kandidati ishte Zdravko Ponosh, është një ish-gjeneral, i cili në mënyrë thumbuese është quajtur në serbi gjenerali i NATO-s, për shkak të frymës properëndimore. Kandidaturat e tjera ishin njëra më ekstreme se tjetra. Fitorja e Vuçiç me atë përqindje që mori në zgjedhje ishte e pritshme, madje kishte njerëz që prisnin më shumë se aq. Partia e Vuçiçit është një nga dy partitë më të mëdha ën Europë. Për zgjedhjet parlamentare kishte diçka interesante, pasi mendohej që partia e Vuvçiç të fitonte e vetme dhe të hiqte qafe Daçiçin, por rezultatet e bëjnë të detyrueshëm koalicionin. Madje menjëherë pas zgjedhjeve Daçiç deklaroi se koalicioni vazhdoi. Kishte pritshmëri që Beogradi të fitohej nga opozita, por aleatët e Vuçiç bënë që ai të mbajë edhe Beogradin. Shqiptarët kanë patur 3 deputetë në parlamentin e kaluar, kurse tani rrezikojnë mos kenë asnjë”, tha Karadaku.
/Abcnews.al/